“Mjafton fakti që ne e dimë sot se rreth shekullit X arbanasit janë ruajtur midis maleve të Shkupit. Fisi mendjehollë i arbanasve, këmbëngulës dhe i rezistueshëm, është zgjeruar më tej duke shkrirë në vetvete të gjithë përzierjen e dikurshme të popullsisë alogjene”. Këto janë fjalët që me dorë të vet i shkroi Stojan Novakoviq nëntëmbëdhjetë vjet para se ta botonte librin “Monumentet ligjore të shteteve serbe në Mesjetë” (1912). Mirëpo, përfshirja e tij në veprimtarinë politike jo vetëm që e shtyri atë që kurrë më të mos i kthehet asaj që e shkroi për arbanasit, por në botimin e sipërpërmendur ai i bëri disa përmirësime të “gabimeve” të bëra! Teksti i mëposhtëm, që për temë e ka shtrembërimin e burimeve mesjetare serbe dhe është ndërtuar mbi të dhënat e autorëve joshqiptarë, përfshin edhe medievistët e njohur rusë
Leximi i burimeve historike në frymën e nacionalizmit të shekullit XIX
Njëri prej studiuesve të radhëve të para që me të drejtë e tërhoqi vërejtjen për qasjen kritike ndaj burimeve mesjetare serbe, është medievisti rus Aleksandar Sollovjev (1890 – 1971). Përveçse ishte sllavist i njohur, Sollovjev e hulumtoi edhe Kodin e Dushanit, i studioi bogumilët e të tjerë. Në një trajtesë të publikuar në Beograd në fillim të viteve të pesëdhjeta të shekullit XX, ky studiues e ka tërhequr vërejtjen se botimi i burimeve mesjetare serbe është bërë shkel e shko dhe sipas tij së pari ka qenë e nevojshme mbledhja dhe publikimi i “burimeve historike” ndërsa më pastaj të vazhdohej me të shkruarit e historisë, duke u mbështetur pikërisht mbi këto burime mirë të analizuara dhe të verifikuara. Prandaj hapi i parë duhej t’i paraprinte të dytit, duke mos harruar se mbledhja dhe publikimi i burimeve është aq punë e komplikuar sa që përmbledhja e të gjithë trashëgimisë historike në shumë vende të botës vjen vetëm pas shkrimit të shumë monografive, studimeve dhe botimeve të ndryshme historike që kanë të bëjnë me të kaluarën e kombeve përkatëse e të tjera”. Më tej, Sollovjev është shprehur se duke e pasur parasysh rëndësinë e burimeve historike lidhur me ndriçimin e së kaluarës së një kombi, rol dhe rëndësi të veçantë ka botimi i “Codex Diplomaticus” dhe, sipas rregullit, në një botim të tillë përfshihen kartat kishtare të sundimtarëve, letërkëmbimet, aktet e ndryshme gjyqësore dhe private e të tjera. Për historinë e epokës së vjetër, “Codex Diplomaticusi” ka vlerë të madhe, pasi marrëdhëniet socio-ekonomike, por edhe jetësore në të paraqiten në mënyrën më të saktë të mundshme. Megjithatë, medievisti Sollovjev e ka tërhequr vërejtjen “se historia mesjetare serbe është e varfër sa u përket kronikave, kujtimeve e të tjera”.
Siç dihet, interesimi më intensiv për historitë kombëtare të popujve ballkanikë, ndërlidhet me vitet e para të shekullit XIX, pra që njëherësh përputhet me paraqitjet e para të planeve të ndryshme nacionaliste. Prandaj edhe publikimi i burimeve të lashtësisë apo atyre mesjetare të popujve ballkanikë nuk kaloi pa fërkime të mëdha me tendencën dhe përpjekjet për kontestimin e trashëgimisë dhe të së kaluarës historike. Tashmë është e njohur se si pasojë e një lufte të tillë, ka ndodhur edhe eliminimi fizik i historianit kroat Milan Shufflay (1879 – 1931), vepra e të cilit i është kushtuar ndriçimit të historisë së shqiptarëve.
Në anën tjetër, trajtesa e Sollovjevit lidhur me burimet serbe paraqet njëfarë profecie, pasi ai këmbëngul në qëndrimin e tij, duke pohuar se e kaluara e një kombi nuk duhet të interpretohet duke u politizuar skajmërisht mu në fazat e caktuara të ngritjes së nacionalizmit, shtuar këtu edhe instrumentalizimin nga ana e faktorëve të ndryshëm ndërkombëtarë.
Fatkeqësisht, në interpretimin e burimeve mesjetare në raport me Kosovën ngjau e kundërta. Nuk duhet harruar se edhe sot e kësaj dite e ashtuquajtura “Tapi e Kosovës” është derivat i këtyre burimeve, të pranuara si relevante madje edhe nga një pjesë e historiografisë ndërkombëtare!
Edhe
“Arbanasit e ruajtur në shekullin X midis maleve të Shkupit”
Mangësitë e “Monumenta Serbica” të Franz Mikloschic
Krahas disa përpjekjeve të autorëve të ndryshëm, barrën për t’ua botuar serbëve “Codes Diplomaticus” e mori mbi vete filologu slloveno-austriak Franz Mikloschic (1813 – 1891). Përmbledhja e njohur “Monumenta Serbica Spectantia Historiam Serbiae, Bosnae, Ragusii” e pa dritën e botimit në vitin 1858, dhe është për t’u habitur se përgatitja e botimit u bë për një kohë relativisht të shkurtër!
Para se gjithash Mikloschic, i shfrytëzoi kartat dhe aktet nga Arkivi i Dubrovnikut (vetëm ato që ndodheshin në Vjenë). Në vitin 1856 ai udhëtoi drejt Cetinës dhe gjeti disa karta të panjohura në Bokë dhe Mal të Zi. Përveç tjerash, Mikloschic i huazoi edhe disa përshkrime nga personat privatë, si ato të historianit kroat Ivan Kukuleviqit (1816 – 1889) të filologut Vuk Karaxhiq (1787 – 1864), tregtarit të kafshëve, më vonë të politikanit serb Jeremija Gagiq (1783 – 1859) dhe të sllavistit Aleksandar Gilferding (Александерь Гильфердингъ 1831 – 1872). Edhe pse fillimisht Mikloschic i botoi gjithsej 497 dokumente (karta kishtare dhe akte të ndryshme), megjithatë sipas Sollovjevit “këtë numër duhet zvogëluar sepse fillimisht në të nuk hynë disa mbishkrime që u gjetën nëpër kisha ta ndryshme dhe për shkak të mungesës së regjistrave – informacioneve të shkurtra për kartat”, që në fakt as vetë Mikloschic nuk i kishte parë!”
Mirëpo, sipas medievistit rus edhe pse “Monumenta Serbica...” edhe sot e kësaj dite ka mbetur diplomatikusi më i mirë, megjithatë ky botim ka mjaft të meta! Përmbledhja nuk është e plotë. Në të nuk janë përfshirë shumë karta të Malit të Shenjtë, për të cilat vetë Mikloschic i ka sjellë regestat mbështetur në bizantinologun rus prof. Fjodor Ivanoviç Uspenski (Фёдор Иванович Успенский 1845- 1928). Të tilla janë 76 sosh, por ky numër ka dëshmuar se në arkivat e Malit të Shenjtë duhet hulumtuar seriozisht pasi atje ndodhen rreth 130 karta dhe akte të tjera”. Mangësia e radhës e “Monumenta serbica…” është se ajo përmbledhje është e kufizuar vetëm në karta dhe letra të shkruara në alfabetin cirilik dhe në të nuk janë përfshirë dokumentet e shkruara në gjuhën latine, ndërsa dihet se të tilla ka mjaft dhe në fakt pa to nuk mund të bëhet “Codex Diplomaticusi” i vërtetë. Më tej, sipas Aleksandar Sollovjev, “Monumenta serbica...” nuk është e kufizuar në kohë dhe është dashur të mbyllej me dokumentet e fundit të shekullit XV, pra me shpërbërjen e sundimtarëve të fundit të provincave. Më në fund përmbledhja “Monumenta serbica..” nuk ka pasqyrë të përmbajtjes, indeksi i emrave është jo i plotë, bile as që ka indeks...”, ka përfunduar ai.
Dy mijë e gjashtëqind gabimet e një botimi
Edhe
Nga Memorandumi i SANU-së te “bota serbe”
Iniciativat për përmbledhjen e burimeve në mungesë të diplomatarit serb vazhduan në fillim të shekullit XX, apo thënë më qartë, në prag të Luftës së Parë Ballkanike. Kuptohet se një diplomatar i tillë duhej në radhë të parë të justifikonte zgjerimin territorial. Kështu më 1 mars të vitit 1910, historiani dhe politikani Stojan Novakoviq (1842 – 1915) ia paraqiti Këshilli i Historisë dorëshkrimin “Monumentet ligjore të shteteve serbe në Mesjetë” (Законски споменици српских држава средњег века) që u botua në vitin 1912. Pra, siç shihet edhe nga titulli, zgjerimi territorial duhej bërë duke u thirrur në ekzistencën e shteteve mesjetare! Por, pa humbur kohë, ndaj këtij botimi reagoi bashkëkombësi i autorit, historiani Stanoje Stanojeviq (1874 – 1937) i cili e vlerësoi botimin si jo të “kënaqshëm“.
“Në bazë të asaj se çfarë ka paraqitur Novakoviqi në hyrje të librit, në të vërtetë ai e ka paqartësuar se çfarë ka dëshiruar të realizojë me këtë libër. Duket se libri në fakt ka pretenduar të jetë përmbledhje e jurisprudencës serbe në mesjetë. Por edhe në këtë drejtim Novakoviqi nuk ka qenë konsekuent...”, ka shkruar Stanojeviq.
Ndërsa botimi i radhës, ndaj të cilit ka reaguar Aleksandar Sollovjev janë katër vëllimet e titulluara “Shënimet dhe mbishkrimet e vjetra serbe” (Стари српски записи и натписи I - IV) të autorit Ljubomir Stojanoviq (1860 –1930) të botuara në periudhën kohore 1902 – 1923.
“Stojanoviq në botimet e veta i ka dy mijë e gjashtëqind gabime! Gabim në vete në këto botime paraqet fakti se për vetë aktet e botuara nuk janë afruar kurrfarë të dhënash, as se si është shkruar, në çka është shkruar e as që është përshkruar materiali i vulave, çfarë është nënshkrimi e të tjera. Më pastaj nuk janë dhënë sqarime plotësuese se ku gjendet akti në fjalë“, ka përfunduar Sollovjev.
Edhe
Kosova në shkenca politike studiohet me perspektiva që kalojnë nga Beogradi
Edhe pse trajtesa kritike e studiuesit rus është më e gjerë, ne jemi orientuar kryesisht në autorët dhe veprat që jo rrallëherë citohen edhe në botimet e ndryshme në gjuhën shqipe.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për Kulturë