Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Një shtet që nuk i donte qytetarët e vet – shqiptarët në Jugosllavi

Prishtinë, 1988

Prishtinë, 1988

Ajo që e bën Arbën Xhaferin veçanërisht relevant sot është se shumë nga modelet që ai identifikon – sikurse në librin “Kombi, Shteti e Identiteti” – vazhdojnë të jenë të pranishme. Mungesa e reflektimit kritik në Serbi, vazhdimësia e narrativave nacionaliste dhe pamundësia për të pranuar realitetin politik të Kosovës, tregojnë se problemet që ai ngrinte nuk i përkasin vetëm së kaluarës. Zëri i tij mbetet relevant, sidomos sot, kur shumë nga çështjet që ai analizoi, si përgënjeshtrimi dhe mosnjohja e krimeve ndaj shqiptarëve, vazhdojnë shërbejnë si arsye pse Serbia sot mbetet larg njohjes së krimeve të saj në Kosovë dhe larg njohjes së Kosovës si shtet

Arbën Xhaferi ishte intelektual shqiptar nga Tetova, që zhvilloi mendimin e tij politik në një kontekst të ngarkuar historikisht, mes Kosovës dhe Maqedonisë, brenda Jugosllavisë. Si një shqiptar që shumicën e jetës e kaloi në një sistem ku shqiptarët as nuk ishin të mirëpritur dhe as të barabartë, ai u përball vazhdimisht me çështjet e identitetit, kombit dhe të shtetit. Kjo përmbledhje esesh është e organizuar në bazë të këtyre temave.  

Fatkeqësisht, organizimi i librit në vetvete ka probleme të dukshme redaktimi. Esetë nuk janë kronologjike, ato lëvizin nëpër kohë dhe përzgjedhja e tyre përzien esetë thelbësore dhe ato më pak të rëndësishme duke e vështirësuar leximin dhe njëtrajtshmërinë e veprës. Pavarësisht kësaj mendimet e Xhaferit ruajnë një rëndësi analitike, e në këtë ese do të flas për dy tematike që ngrihen në shumë ese të Xhaferit, pozita shqiptare në Jugosllavi dhe diskursi antishqiptar si mekanizëm shfajësues i dhunës serbe ndaj tyre.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Shqiptarët në Federatën e Sllavëve të Jugut

Shqiptarët në fund të shpërbërjes së Jugosllavisë ishin etnia e tretë ose e katërt më e madhe, por nuk qeverisën asnjë nga gjashtë republikat e saj. Jugosllavia ishte në të vërtetë Federatë e Sllavëve të Jugut ngaqë etnitë tjera nuk u lejuan të krijojnë republikë brenda saj edhe kur plotësonin kriteret demografike. Argumenti kryesor kundër thoshte se këta popuj kanë një atdhe e origjinë jashtë kufijve të Jugosllavisë, prandaj s’kanë si ta kenë brenda saj. Kjo logjikë koloniale që popullsitë josllave i konsideron si të huaja, shpalos edhe racizmin institucional ndaj tyre në Jugosllavi. Sipas Xhaferit problemi i hapësirave multietnike si ai i Jugosllavisë është, se mbi to është tentuar të ndërtohen shtetet që nuk e tolerojnë këtë realitet. Trajtimi apo  “zgjidhja” e çështjes shqiptare që ofroi një rrymë e gjatë e mendimit intelektual serb, nga Garashanini dhe Cvijiq, përmes Çubrilloviqit e Andriqit, deri te Shesheli, nuk ishte bashkëpunim apo trajtim i barabartë i shqiptarëve, por dëbimi dhe shpërngulja e tyre nga Ballkani(f. 26). Ngjashëm edhe Millosheviqi kishte kërkuar ta zgjidhte çështjen shqiptare në Kosovë në vitet e 1990-ta, derisa u ndalua nga NATO-ja.  

Sipas Arbën Xhaferit problemi i hapësirave multietnike si ai i Jugosllavisë është, se mbi to është tentuar të ndërtohen shtetet që nuk e tolerojnë këtë realitet

Por para se të flasim për vitet e 1990-ta, duhet të flasim për kohën kur Serbia ishte aleate e Perëndimit. Serbia pasi doli në anën e ngadhënjimtarëve pas Luftës së Parë Botërore mori nën kontroll territore të shumta që nuk ishin të banuar me popullsi serbe dhe kishin numër të konsiderueshëm të etnive tjera  si Kosova, Maqedonia apo Vojvodina. Këto aneksime  dhe zgjerimi territorial i Serbisë nuk janë problematizuar në kontekstin ndërkombëtar të kohës, e në historiografinë serbe paraqiten si “çlirim”, por nuk bën të injorohet që nuk kanë marrë parasysh fare vullnetin e popullsisë lokale, sidomos shqiptarët i përjetuan këto si pushtime të dhunshme. Xhaferi përmend që edhe me ardhjen e ideve të Wilsonit për vetëvendosje të popujve në 1918 apo periudhës së dekolonizimit, shqiptarët e Jugosllavisë nuk arritën të përfshiheshin në këto rryma përkundër përpjekjeve të tyre.  

Xhaferi shprehet që ndarja e Jugosllavisë nuk do të jetë paqësore sikurse ajo e Çekosllovakisë. Millosheviqi nuk kishte mendësi tolerante apo përfshirëse, për të pranuar krijimin e shteteve me diversitet etnish e fe. Përkundrazi Millosheviqi dhe vartësit e tij vinin nga “laboratorët e sistemeve totalitare, përjashtuese që totalitarizmin ideologjik ta kthenin në nacionalizëm serb” duke shkaktuar kështu tragjedi të llahtarshme (fq. 63).

Sa u përket gjeneratave të reja serbe, Xhaferi shprehet se ata nuk mund të shkëputen nga gjeneratat e vjetra. Ata nuk janë të vetëdijesuar se pse u shthur Jugosllavia dhe për krimet e kryera në emër të shtetit serb. Sipas Xhaferit, kjo mungesë vetëdijeje çon deri në interpretime që ndarjen e Jugosllavisë të keqinterpretohet në Serbi si konspiracion, imperializëm perëndimor, proselitizëm katolik, fundamentalizëm islamik, apo ekstremizëm nacional (fq. 66). Xhaferi shton se kur e gjithë bota ka dokumentuar krimet serbe, paria e tyre ka shlyer kujtesën saj duke mos e ndjerë nevojën për kërkimfalje (fq. 68).

Konstrukti i shqiptarit si “tjetri”

Roli i propagandës serbe në ndërtimin e imazhit te shqiptarit si tjetri u shndërrua në projekt përjashtues të shqiptarit nga shteti Jugosllav. Ai argumenton se në një pjesë të konsiderueshme të diskursit mediatik serb, sidomos gjatë luftës, Kosova hyjnizohet e shqiptarët u paraqitën si mish i huaj, jo vetëm në Kosovën e shenjtëruar, por në Evropën e krishterë. Por kjo lloj dhune sistematike e represioni ndaj shqiptarëve nuk mund të justifikohej apo pranohej në Perëndim (fq. 68-69).   Përderisa Perëndimi kishte avancuar në të drejta për minoritete, Serbia përdorte argumente fetare se po bënte një lloj kryqëzate në mbrojtje të Evropës me spastrimin etnik të shqiptarëve.

Një tjetër grumbull pohimesh për shqiptarët nga diskursi serb është i ngjashëm me atë që u janë bërë shumë popujve në periudhën e dekolonizimit, shpesh me qëllimin politik t’u mohohet e drejta e tyre për vetëvendosje. Ato argumente thonë se shqiptarët nuk mund ta qeverisin vetveten, janë të dhunshëm, të korruptuar, bëjnë prostitucion, tregtojnë me organe njerëzish, etj. Xhaferi ironizon me këto pohime duke thënë se shqiptarët nuk vrasin liderët e tyre siç është vrarë Ivan Stamboliq, dhe Zoran Gjingjiq, gazetarët hulumtues (Slavko Quruvia) apo ministrat, shefat e policisë e nuk kanë klane si ato të Zenunit (fq. 80). Është pikërisht tendenca koloniale për të projektuar të keqen te shqiptarët, ajo që nuk i lejon serbët të reflektojnë mbi vetveten si shoqëri, por edhe për rolin e tyre si fqinj ndaj shqiptarëve.  

Në thelb, mendimi i Arbën Xhaferit ofron një lexim të qartë dhe shpesh të pakëndshëm të realitetit politik e 20 vjetëve të fundit në Jugosllavi dhe më gjerë në Ballkan. Ai e sheh dështimin e këtij projekti jo si aksident historik, por si pasojë të një mospërputhjeje të thellë midis shtetit unitar e dominues të një etnie dhe diversitetit të popujve mbi të cilën kjo etni dëshiron të ushtrojë autoritet.  Ky autoritet  si në rastin e Serbisë mbi Kosovën shoqërohet me një traditë politike përjashtuese që refuzon barazinë dhe bashkëjetesën dhe ofron dominimin si zgjidhje te vetme. Analiza e Xhaferit mbi dhunën e pashmangshme gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, si dhe mbi rolin e diskursit serb në ndërtimin e “tjetrit” tregon që represioni ndaj shqiptarëve në shpërbërjen e Jugosllavisë nuk ishte aksidental, por produkt i një projekti të qëllimshëm që kishte si shtyllë kulturore ndërtimin e një imazhi dehumanizues të shqiptarëve, si zgjidhje dëbimin e spastrimin etnik, e si qeverisje  totalitarizmin e kthyer në nacionalizëm.

Ajo që e bën Xhaferin veçanërisht relevant sot është se shumë nga modelet që ai identifikon vazhdojnë të jenë të pranishme. Mungesa e reflektimit kritik në Serbi, vazhdimësia e narrativave nacionaliste dhe pamundësia për të pranuar realitetin politik të Kosovës, tregojnë se problemet që ai ngrinte nuk i përkasin vetëm së kaluarës.

Libri vuan nga mungesa e organizimit editorial dhe kjo është humbje e vërtetë, sepse e vështirëson lexuesin të ndjekë zhvillimin e mendimit të Xhaferit me kalimin e kohës. Por pavarësisht kësaj, zëri i tij mbetet relevant, sidomos sot, kur shumë nga çështjet që ai analizoi, si përgënjeshtrimi dhe mosnjohja e krimeve ndaj shqiptarëve, vazhdojnë të shërbejnë si arsye pse Serbia sot mbetet larg njohjes së krimeve të saj në Kosovë dhe larg njohjes së Kosovës si shtet.