Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

“Antigonea” i nënshtrohet mirëmbajtjes

Parku arkeologjik, “Antigonea”, në Gjirokastër i është nënshtruar një ndërhyrjeje mirëmbajtjeje derisa sezoni i dimrit shfrytëzohet nga punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore për sistemimin e lokalitetit.

Sipas njoftimit të Drejtorisë, prej disa ditësh specialistët po punojnë për ngritjen e mureve, sistemimin e mjediseve rreth monumenteve në “Agora” dhe bllokun e banesave.

Parku arkeologjik “Antigonea” është një ndër pikat më të vizituara nga turistët gjatë udhëtimeve të tyre në luginën e Drinos. “Antigonea” është një nga qytetet antike më të mëdha të territorit të Shqipërisë dhe vendbanimi më i rëndësishëm antik i Luginës së Drinos. Brenda mureve fortifikuese të shekullit III vendbanimi ka një sipërfaqe prej 45 hektarësh, ndërsa territori i Parkut arkeologjik është mbi 90 hektarë.

Emrin qyteti e ka marrë nga Antigona, gruaja e parë e mbretit Pirro.

Qyteti ishte fortifikuar me mure të trasha në fillim të shekullit III para Krishtit, si vazhdimësi e ekzistencës të një vendbanimi të hershëm, emri i të cilit u ndryshua nga Pirroja.

Qyteti mbizotëronte zonat e pasura rurale të Luginës së Drinos dhe kishte fortifikime të tjera periferike për të mbrojtur të gjithë territorin: Kështjellën e Lekliut në veri, Labova në lindje dhe Selo në jug. Qarku i mbrojtjes mund të përshkohet i tëri, që nga hyrja në këtë park. Në pjesën veriore të qytetit, në hyrjen e anës së djathë, ka një kodër të quajtur “Acropolis”. Në pikën më të lartë të kodrës ka rrënoja të kishës pas mesjetës së Shën Mikalit. Gërmimet intensive arkeologjike brenda zonës së qytetit në vitet e 70-a kanë zbuluar pjesët më të banuara si dhe rrjetet rrugore. Rrugët që kalonin në veri-jug dhe lindje-perëndim ishin pingul. Rrugët më të rëndësishme mbarojnë në portat e qytetit. Rrugët veri-jug janë më të gjera dhe më të rëndësishme dhe të pajisura me trotuar të gjerë. Disa rrugë tregojnë edhe kanale për kullimin e ujit. Rruga më e rëndësishme në qendër të gërmimeve është emëruar Dhimosten Budina. Rrugët kufizoheshin me shtëpi banimi. Disa apartamente u zbuluan plotësisht gjatë gërmimeve arkeologjike.

Artikuj të ngjashëm