Kulturë

Lokalitetet e trashëgimisë kulturore në Shqipëri me 1.2 milion vizitorë në 10 muaj

Kalaja e Gjirokastrës

Sipas listës së publikuar, Kalaja e Gjirokastrës prin me 248 mijë vizitorë, pasuar nga Parku Arkeologjik i Butrintit me 195 mijë vizitorë, Muzeu “Gjergj Kastrioti” në Krujë me 160 mijë vizitorë, Parku Arkeologjik i Shkodrës me 146 mijë vizitorë dhe Parku Arkeologjik i Apollonisë me 117 mijë vizitorë

Sipas shifrave që ka shpalosur ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, janë 1 milion e 229 mijë e 195 veta që kanë vizituar lokalitet e trashëgimisë kulturore në dhjetë muajt e parë të këtij viti. Shifrat flasin për rritje të numrit të vizitorëve për 34 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave, 61 për qind e vizitorëve janë të huaj

Të dhënat për numrin e vizitorëve në lokalitetet e trashëgimisë kulturore në Shqipëri janë duke u rritur nga viti në vit.  Sipas shifrave që ka shpalosur ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, janë 1 milion e 229 mijë e 195 veta që kanë vizituar lokalitetet e trashëgimisë kulturore në dhjetë muajt e parë të këtij viti. Shifrat flasin për rritje të numrit të vizitorëve për 34 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave, 61 për qind e vizitorëve janë të huaj. 

Sipas listës së publikuar, Kalaja e Gjirokastrës prin me  248 mijë vizitorë, pasuar nga Parku Arkeologjik i Butrintit me 195 mijë vizitorë, Muzeu “Gjergj Kastrioti” në Krujë me 160 mijë vizitorë, Parku Arkeologjik i Shkodrës me 146 mijë vizitorë dhe Parku Arkeologjik i Apollonisë me 117 mijë vizitorë. 

Kalaja e Gjirokastrës si më e vizituara është një histori e lidhur me qytetin e Gjirokastrës dhe përmendet për herë të parë si qytet dhe kështjellë në vitin 1336.

Kalaja u bë e njohur në periudhën e Pashallëkut të Janinës, kur Ali Pashë Tepelena do të realizonte një sërë ndërtimesh të reja apo ndërhyrje të tjera, duke i dhënë Kalasë së Gjirokastrës fizionominë arkitektonike dhe ndërtimore që ka sot.

Krahasuar me kalatë mesjetare të tjera të vendit, kjo kala është më e vogël nga sipërfaqja dhe ruhet në gjendje më të mirë. Gjerësia e saj është 75 m dhe gjatësia 500 m. Për t’ua shtuar rezistencën mureve të kalasë janë ngritur pesë kulla të fuqishme.

Përgjatë viteve ajo ka pësuar ndryshime dhe zgjerime. 

Sipas të dhënave për kalanë, rreth vitit 1490 u bënë përmirësime të gjera nga sulltan Bajaziti II. Pastaj në vitin 1811, Ali Pashë Tepelena shtoi shumë elemente, duke përfshirë Kullën e Sahatit në anën lindore. Po ashtu përfundoi fortifikimin e zonës së greminës dhe ndërtoi ujësjellësin e Sopotit, që sillte ujin në kala rreth 12 kilometra larg.

Që në hyrje të kështjellës gjendet galeria e topave dhe një koleksion i armëve që janë mbledhur që nga lashtësia e deri në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore. E në fund të kësaj galerie gjendet edhe një tank italian. E pranë mureve, në pjesën ku qëndron aeroplani shpaloset peizazhi mahnitës i të gjithë luginës së lumit Drini dhe maleve. Duke filluar nga viti 1968 skena e gurtë e Kalasë së Gjirokastrës do të priste me bujari instrumentistët, këngëtarët dhe valltarët e folkut në kuadër të Festivalit Folklorik të Gjirokastrës.

Njëkohësisht gjatë këtyre viteve mjediset e Kalasë kanë shërbyer edhe për organizimin e koncerteve, spektakleve dhe panaireve të ndryshëm kulturorë. 

Kalaja e gurtë është edhe një prej pikave më tërheqëse në guidat e grupeve turistike vendëse dhe të huaja që vizitojnë Gjirokastrën e mbrojtur nga UNESCO.

Kurse si lokalitet i dytë me numrin më të madh të vizitorëve, Parku Kombëtar i Butrintit, ndodhet 18 kilometra në jug të Sarandës, zë një sipërfaqe të përgjithshme prej 9,424 hektarësh, një sipërfaqe e përbërë nga kodra, liqene, ligatina, këneta të kripura, fusha të gjera, moçalishte dhe ishuj. Brenda tij është konfirmuar ekzistenca e 1,200 specieve të ndryshme kafshësh dhe bimësh.

Ashtu si shumë qendra të tjera të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri, u shpall Monument Kulture, që në vitin 1948 me një Akt të Parë Rregullues për Monumentet e Kulturës. Në vitin 1981, zona e pyllëzuar përreth Butrintit u shpall gjithashtu monument kulture sipas ligjeve ekzistuese, për mbrojtjen e zonave arkeologjike me rëndësi mjedisore. Në rrafshin ndërkombëtar, rëndësia e qytetit antik u njoh dhe u konfirmua si e tillë në vitin 1992, kur ai u përfshi në Listën e Pasurive Botërore të UNESCO-s. Kjo u bë nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore, duke iu referuar Konventës së vitit 1972, "Për mbrojtjen e Trashëgimisë Botërore Kulturore dhe Natyrore”.

Në aspektin e trashëgimisë kulturore, Butrinti është një mikrokozmos i historisë së Mesdheut, që prezanton ngritjet dhe uljet e perandorive të mëdha që kanë mbizotëruar në rajon.