Kulturë

Kalaja e Gjirokastrës atraksion për 120 mijë vizitorë

Kalaja e Gjirokastrës

“Kalaja e Gjirokastrës renditet e para ndër sitet kulturore me 120.723 vizitorë nga janari në korrik që kanë zbuluar shpirtin, historinë dhe vlerat e këtij monumenti për të zbritur më pas në atraksionet e tjera magjike të qytetit UNESCO”, ka shkruar ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, në rrjete sociale

Kalaja e Gjirokastrës është prej monumenteve më të vizituara në Shqipëri. Prej fillimit të vitit numëron mbi 120 mijë vizitorë vendës dhe të huaj.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, bëri të ditur se qyteti i UNESCO-s po tërheq numrin më të lartë të vizitorëve.

“Kalaja e Gjirokastrës renditet e para ndër sitet kulturore me 120.723 vizitorë nga janari në korrik që kanë zbuluar shpirtin, historinë dhe vlerat e këtij monumenti për të zbritur më pas në atraksionet e tjera magjike të qytetit UNESCO”, ka shkruar ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, në rrjete sociale. 

Turistët e huaj përbëjnë edhe numrin më të lartë të vizitorëve, ndërsa ata vijnë nga Evropa, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e deri nga Australia.

Kalaja është një histori e lidhur me qytetin e Gjirokastrës dhe përmendet për herë të parë si qytet dhe kështjellë në vitin 1336.

Kalaja u bë e njohur në periudhën e Pashallëkut të Janinës, kur Ali Pashë Tepelena do të realizonte një sërë ndërtimesh të reja apo ndërhyrje të tjera, duke i dhënë Kalasë së Gjirokastrës fizionominë arkitektonike dhe ndërtimore që ka sot.

Krahasuar me kalatë mesjetare të tjera të vendit, kjo kala është më e vogël nga sipërfaqja dhe ruhet në gjendje më të mirë. Gjerësia e saj është 75 m dhe gjatësia 500 m. Për t’ua shtuar rezistencën mureve të kalasë janë ngritur pesë kulla të fuqishme.

Përgjatë viteve ajo ka pësuar ndryshime dhe zgjerime. 

Sipas të dhënave për kalanë, rreth vitit 1490 u bënë përmirësime të gjera nga sulltan Bajaziti II. Pastaj në vitin 1811, Ali Pashë Tepelena shtoi shumë elemente, duke përfshirë Kullën e Sahatit në anën lindore. Po ashtu përfundoi fortifikimin e zonës së greminës dhe ndërtoi ujësjellësin e Sopotit, që sillte ujin në kala rreth 12 kilometra larg.

Që në hyrje të kështjellës gjendet galeria e topave dhe një koleksion i armëve që janë mbledhur që nga lashtësia e deri në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore. E në fund të kësaj galerie gjendet edhe një tank italian. E pranë mureve, në pjesën ku qëndron aeroplani shpaloset peizazhi mahnitës i të gjithë luginës së lumit Drini dhe maleve. 

Duke filluar nga viti 1968 skena e gurtë e Kalasë së Gjirokastrës do të priste me bujari instrumentistët, këngëtarët dhe valltarët e folkut në kuadër të Festivalit Folklorik të Gjirokastrës.

Njëkohësisht gjatë këtyre viteve mjediset e Kalasë kanë shërbyer edhe për organizimin e koncerteve, spektakleve dhe panaireve të ndryshëm kulturorë. 

Kalaja e gurtë është edhe një prej pikave më tërheqëse në guidat e grupeve turistike vendëse dhe të huaja që vizitojnë Gjirokastrën e mbrojtur nga UNESCO.