Haruki Murakami shkroi për një qytet të rrethuar me mure kur ai është ende në hovin e famës së tij. Më shumë se katër dekada më vonë, si një romancier i mirënjohur dhe me përvojë, ai i dha romanit një jetë të tërë si: “The City and Its Uncertain Walls (Qyteti dhe muret e tij të pasigurta).
Tre vjet më parë ai ndjeu se kishte ardhur koha për ta rishikuar tregimin që ai mendonte se ishte i papërsosur, por kishte elemente të rëndësishme, si muri dhe hija dhe t’i trajtonte ato përsëri nisur nga ajo që ndiente.
“Për shkak të koronavirusit… mezi dilja dhe shumicën e kohës qëndroja në shtëpi teksa në të shumtën e kohës merresha me atë që kisha përbrenda. Pastaj mendova se ndoshta është koha për ta shkruar atë roman”, ka thënë Murakami. Dhe ai e bëri atë “sikur ta merrte nga pjesa e pasme e një sirtari”.
Ai nisi ta shkruajë në janar të vitit 2020 dhe e përfundoi në dhjetor të 2022-s, vite të cilat u shquan nga ngjarje të shumta tronditëse. “Kur shkruaj një roman, thjesht e di se është koha”, është shprehur ai.

Murakami vuri në dukje se gjatë kësaj kohe gjithashtu luftën e Rusisë kundër Ukrainës, globalizmin e tronditur dhe kutinë e Pandorës së mediave sociale.
“Në një periudhë kur shoqëria po kalonte nëpër ndryshime tronditëse ku të qëndrosh i mbyllur brenda murit apo të shkosh në anën tjetër të murit ishte bërë gjëja më e rëndësishme”, kishte thënë Murakami përpara botimit të librit në Tokio, në një intervistë bërë me gazetarë të përzgjedhur, përfshirë edhe ata të “The Associated Press”.
“The City and I’ts Uncertain Walls” doli në shtyp dhe në formate digjitale të enjten nga “Shinchosha Publishing Co”. Nuk ka ende diçka konkrete lidhur me përkthimin në gjuhën angleze. Ky është romani i tij i parë pas bestsellerit të vitit 2017, “Killing Commendatore”.
Murakami nuk ishte në Japoni kur u publikua libri. Ai ka mbajtur seminare lidhur me personazhe në veprat e tij, në Kolegjin Wellesley, shkolla e grave në Masachusets, ku kishte ndjekur studimet ish-kandidatja për presidente e SHBA-së, Hillary Clinton, dhe sekretarja e ndjerë e Shtetit, Madeleine Albright.
Fillimisht, qëllimi i Murakamit ishte të rishkruajë tregimin e vitit 1980 “Qyteti dhe muret e tij të pasigurta” dhe ta përmirësojë atë. Por historia nuk mbaroi aty dhe Murakami vazhdoi të shkruante. Versioni i botuar në revistën letrare “Bungakukai” u rishkrua, më pas u bë kapitulli i parë i asaj që më vonë u shndërrua në një roman me tri pjesë dhe me 672 faqe.
Në pjesën e dytë, protagonisti merr një punë si drejtues i një biblioteke në një qytet të vogël në Fukushima, ku takohet me paraardhësin e tij misterioz dhe teksa tregimi shkon duke përfunduar, ai takohet edhe me një djalë adoleshent.
Dhjetëra entuziastë të romaneve të Murakami festuan botimin e librit të tij të ri para një librarie historike në qendër të Tokios, në një ngjarje të numërimit mbrapsht, mesnatën e së mërkurës. Ata që nuk ia dolën të ishin aty, erdhën për ta blerë librin mëngjesit e së enjtes.
“Jam shumë e emocionuar”, tha Kaori Otoh, një fanse e kamotshme e punës së Murakamit, teksa në dorë mbante librin më të ri të Murakamit. “Më duhet të luftoj kundër dëshirës së madhe për ta lexuar librin gjatë orarit të punës.” Kotaro Watanabe, 32 vjeç, ka thënë se kishte në plan të lexonte gjithë natën, në një kafene së bashku me miqtë e tij. Ai ka lexuar dy pjesët e mëparshme të qytetit të rrethuar me mure. “Mezi pres të zbuloj se si përfundon ndryshe kjo histori”, ka thënë ai.
Murakami ka thënë se të shkosh në anën tjetër të murit kërkon vendosmëri, besim dhe forcë fizike. “Duhet të shtrydhni të gjitha fuqitë tuaja, përndryshe nuk mund të shkoni në anën tjetër të botës”. Tregimet “nuk janë aspak pesimiste”, ka thënë ai. “Pavarësisht shumë gjërave të çuditshme dhe anës së errët, tregimet e mia në thelb janë pozitive”, është shprehur shkrimtari. “Unë mendoj se historitë duhet të jenë pozitive”.
Në disa nga tregimet e tij të mëparshme, protagonistët udhëtojnë midis dy botëve, përmes një muri, një pusi ose një shpelle.
“Mendoj se rrëshqitja nëpër një mur, një proces që përfshin shkuarjen në anën tjetër të botës dhe kthimin prej andej, është hap jashtëzakonisht i rëndësishëm”, ka thënë Murakami.
Ai ka thënë se ka shumë lloje muresh – midis të vetëdijshmes dhe të pavetëdijshmes, reales dhe joreales, dhe mureve fizike që ndajnë shoqëritë, si ajo që qëndronte më parë në Berlin dhe barrierat midis Izraelit dhe territoreve palestineze.
Murakami ka thënë se gjatë shkrimit të romanit, ai vazhdoi të mendonte për kuptimin që ka muri në këtë histori. Ai ka thënë se muret mund të kenë kuptime dhe qëllime të ndryshme, varësisht se kush është brenda.
Po aq e rëndësishme për Murakamin dhe tregimet e tij është hija. Ai thotë se hija është një formë e nënvetëdijes së tij, ose një alter ego, e cila i ngjan anës së tij negative dhe e ndihmon atë të njohë veten.
“Të shkruash një roman, për mua do të thotë të gërmosh deri në atë thellësi”, ka thënë. Dallimi midis trupit kryesor dhe hijes bëhet i paqartë në libër, gjë që e zgjeroi shtrirjen e tregimit. Ai tha se ishte një proces i vështirë dhe i duhej ta rishkruante disa herë.
“Tani jam në mesin e të 70-ave dhe nuk e di sa romane të tjera mund të shkruaj. Kështu që ndjeva fuqimisht se duhet ta shkruaja këtë histori me dashuri dhe të shpenzoja kohë për ta bërë këtë”, është shprehur ai.
Murakami, i cili ka debutuar në vitit 1979 me “Dëgjo erën të këndojë”, ka thënë se versioni origjinal i romanit të tij të ri përmbante elementet kryesore të murit dhe hijes, por që ai ishte shumë kompleks për t’u trajtuar nga një romancier i rangut të dytë.
Më pas u zhvilluar si pjesë e “Hard-Boiled Wonderland and the End of the World”, një bestseller i vitit 1985. Ai është ndërthurje e dy historive pop dhe fantashkencë, të mbushur me aksion dhe një botë imagjinare të një qyteti të izoluar me mure të të vdekurve. Nëse e shikojmë prej këndvështrimit të sotëm, Murakami është shprehur se edhe ajo përpjekje ishte e parakohshme. Ai e la atë përpjekje në sirtar, për ta rishkruar tek pas 35 vjetësh, megjithëse historia i mbeti në mendje, “si një therë e vogël peshku e ngecur në fyt”, ka thënë ai.
Murakami ka thënë se filloi të ndihej i sigurt për aftësinë e tij në të shkruar, gjatë kohës kur ishte në mesin e karrierës, rreth vitit 2000, pak para se të shkruante “Kafka në breg”, romani më i shitur i tij, i botuar në vitin 2002. “Që prej atëherë, ka kaluar shumë kohë dhe mendova se ndoshta tani, më në fund, mund ta rishkruaj veprën e paplotë te ‘Qyteti dhe muret e tij të pasigurta’”.
Tani në moshën 74-vjeçare, dy herë më i vjetër se atëherë, Murakami ka thënë se është i dhënë më shumë nga qetësia që ai e ka në romanin “Fundi i botës” të 1985-s, sesa nga pop-aksioni i përshkruar në romanin tjetër “Hard-Boiled Wonderland”.
“Nuk mund ta ndryshosh, dhe unë mendoj se është krejt e natyrshme”, ka thënë ai. Por, ai nuk lodhet kurrë që të balancojë shkrimin e romaneve, të përkthejë letërsinë e tij të preferuar perëndimore dhe vitet e fundit edhe të drejtojë emisionin e tij në radio. “Më pëlqen shumë të shkruaj. Është kënaqësi të shkruash dhe rishkrimi është edhe më argëtues.”
Është rutina e tij e mëngjesit dhe ai ka vrapuar në 40 maratona. “Përkthimi, vrapimi dhe mbledhja e regjistrimeve të përdorura”, ka thënë ai, teksa ka përmendur hobit e tij. “Unë nuk kam kohë për jetë nate, e cila edhe mund të ketë qenë gjë e mirë”.
Marrë nga “The Associated Press”.
Përktheu: Mirjetë Sadiku