Sot, më 11 maj 2025, përkujtojmë me mall dhe nderim të thellë njëmujorin e ndarjes nga jeta të një figure të gjithanshme, i cili për gati një shekull u qëndroi besnik gjuhës, dijes, artit dhe idealit kombëtar. I lindur në Prishtinë më 1932, Rashidi që në moshë të re iu përkushtua veprimtarisë patriotike. Ishte vetëm 16 vjeç kur, në vitin 1948, bashkë me shokët e tij, u angazhua në riorganizimin e Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare (NDSH) – një akt i guximshëm në rrethana të rënda politike, i cili do t’i kushtonte më vonë edhe vite burgimi. Por idealet e tij nuk ndryshuan kurrë.
Kompozitor e kritik
Pasi përfundoi gjimnazin në Prishtinë më 1951, filloi punën si arsimtar i muzikës dhe i matematikës në shkollat fillore e të mesme. I dashuruar me muzikën që në fëmijëri, ai mësoi të deshifronte vetë notat nga “Lyra Shqiptare” dhe, me ndihmën e profesorëve nga Novi-Sadi, përvetësoi edhe teorinë muzikore.
Në vitin 1960 fitoi çmimin e parë në një konkurs anonim të Radio Prishtinës me këngën “Agimi e Afërdita”, interpretuar nga Sanije Shala. Kompozoi edhe për fëmijë – një nga këngët u shpërblye më 1962, por për ironi të kohës u interpretua nga një fëmijë serb, sepse nuk kishte fëmijë shqiptarë që guxonin të këndonin publikisht. Këngët e tij u sollën në skenë nga emra të njohur, si: Liljana Çavolli, “Kur ti qesh”, Ismet Koshutova, “Andrra e tmerrshme”, Ermina Delhysa-Lekaj në duet me Çavollin,“Hareja”, dhe nga Muharrem Qena me këngën “Mallëngjimi”. Të gjitha me tekst dhe muzikë nga vetë Rashidi. Më 2012 u publikua një kompakt-disk me titullin “O vendi im” me rastin e 80 vjetorit.

Në vitet '60, ai hapi kurse për mandolinë për fëmijë dhe më pas u shqua si kritik muzikor në gazetën “Rilindja”, ku shkroi me kompetencë dhe pasion për zhvillimet muzikore shqiptare. Duke bërë dhe intervista me kompozitorë, këngëtarë, instrumentistë e pedagogë. Edhe pas moshës 90-vjeçare nuk iu nda veglave të tij të dashura: kitarës, mandolinës dhe çiftelisë.
Edhe
Shemi – zëri i “Ilirëve” që shënoi një epokë

Pionier i fjalëkryqeve shqipe
Emri i Rashid Krasniqit është i lidhur pazgjidhshmërisht me gazetën “Rilindja”, ku punoi për 38 vjet, duke kontribuuar sidomos në kritikën muzikore dhe në rubrikën enigmatike, të cilën e themeloi dhe e zhvilloi në mënyrë të pandërprerë. Më 1 mars 1953, ai botoi fjalëkryqin e parë në gjuhën shqipe në ish-Jugosllavi.
Nga viti 1958 deri më 1991 (me një ndërprerje të detyruar 1981–1984), ishte redaktori dhe autori kryesor i kësaj rubrike. Në vitin 1965 krijoi edhe fjalëkryqin shpërblyes – një risi që e bëri enigmatikën një sport mendor të dashur për mijëra lexues. Edhe gjatë viteve të burgimit (1956–1958) vazhdoi të krijonte probleme shahu, që u botuan në revistat “Borba” dhe “NIN” e më vonë në “Rilindja”.
Në intervistat e rralla për revistat enigmatike “Stili” (1995) dhe “Gjeni” (2001), thoshte: “Pa pasur shpirt krijues, nuk bëhesh dot enigmat” dhe “Jo shumë e për lumë, por pak e saktë”. Krijimtaria e tij enigmatike është e gjerë dhe me ndikim të madh në historinë e kësaj fushe në shqip. Rashidi është edhe autor i disa librave që dëshmojnë ndjeshmërinë, reflektimin dhe mençurinë e tij jetësore: “Me sekret në varr”, roman që trajton dramën personale dhe kombëtare; “Përjetime të lehta”, një përmbledhje rrëfimesh reale me tone politike; “100 e 3 parime vetëm drejtë”, libër me proverba dhe aforizma të nxjerra nga përvoja e gjatë jetësore.
Në vitin 1999, gjatë deportimit për në Shqipëri, u shfaq në Televizionin Shqiptar duke interpretuar me kitarë këngën “Mallëngjimi”. Ai moment mbeti si dëshmi e ndarjes me vendlindjen, por edhe e shpresës për t’u kthyer sërish në tokën e vet.
Me gjithë sfidat, burgut dhe heshtjes që shpesh e rrethonte, Rashid Krasniqi nuk hoqi dorë kurrë nga ideali shqiptar, nga fjala e shkruar dhe nga kultura. Ishte dhe mbetet simbol i përkushtimit qytetar, i mençurisë popullore dhe i rezistencës intelektuale.
Mësues i parë i enigmatikës shqiptare
Në literaturën enigmatike, Rashid Krasniqi njihet si mësuesi i parë i kësaj fushe në gjuhën shqipe. Ai përpiloi mijëra fjalëkryqe, katrorë magjikë, rebuse dhe probleme logjike. U ndëshkua në vitin 1981 me përjashtim nga puna për katër vjet, vetëm pse në një fjalëkryq përdori fjalën “masakrim” – në kohën kur po ndodhnin demonstratat shqiptare. Enigmatika konsiderohej si shkarravinë lojëra fëmijësh, por me punë dhe përkushtim të pashoq arrin të bindë stafin e “Rilindjes” që rubrika e fjalëkryqit të jetë e përditshme dhe shumë e pëlqyer. Ai ishte pjesë e brezit që nuk punonte për lavdi, por për kulturë. Vdiq në Prishtinë, disa ditë para se të mbushte 93 vjet.
Edhe
Kronisti mendjemprehtë i Kosovës
Nderime nga artistët, heshtje nga institucionet
Pas ndarjes nga jeta të Rashid Krasniqit, shumë artistë dhe krijues e përkujtuan me respekt dhe mall figurën e tij të dashur – si kompozitor, enigmat, kritik dhe mendimtar që ndikoi në breza të tërë. Fjalët e tyre të ngrohta dhe nderimet e sinqerta dëshmojnë se vlera e tij kulturore është gjallë në kujtesën e atyre që e njohën apo u frymëzuan prej tij. Megjithatë, institucionet kulturore të Kosovës, për fat të keq, nuk u treguan të denja për ta nderuar atë siç e meritonte. Pavarësisht një kërkese të bërë publikisht nga autori i këtij shkrimi me rastin e 90-vjetorit të lindjes së tij, që Rashid Krasniqit t’i ndahej një mirënjohje zyrtare për kontributin shumëplanësh në kulturën shqiptare, ajo mirënjohje nuk ndodhi kurrë. Dhe kjo mungesë flet shumë – ndoshta më shumë se çdo nderim i vonuar.