Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Vdiq nipi i Bob Marleyt, artisti i muzikës reggae, Joseph “Jo Mersa” Marley

Artisti xhamajkano-amerikan i muzikës reggae, Joseph “Jo Mersa” Marley, njëherësh nipi i muzikantit legjendar Bob Marley, ka vdekur në moshën 31-vjeçare.

Sipas mediave të huaja, Jo është gjetur i vdekur në veturën e tij në mëngjesin e së martës (27 dhjetor). Besohet se ka vdekur rastësisht nga një sulm astme.

I lindur më 12 mars të vitit 1991, Marley u bë i famshëm ndërkombëtarisht me hitin e vitit 2016, “Burn It Down”, ku përfshihej edhe vëllai i tij, Yohan. Në vitin 2014 kantautori dhe instrumentisti i famshëm e lansoi një EP të titulluar, “Comfortable”. Kurse në vitin 2021 erdhi dhe albumi i tij debutues “Eternal”.

Duke iu përgjigjur lajmit për vdekjen e Marleyt, Olivia Grange, ministrja e kulturës, rinisë dhe sportit të Xhamajkës, përmes një komunikate për media deklaroi: “Jam thellësisht e pikëlluar nga lajmi se artisti Joseph Marley, djali i yllit të muzikës reggae, Stephen Marley dhe nipi i muzikantit legjendar, Bob Marley, ka vdekur. Unë shpreh ngushëllimet e mia më të thella për nënën e Josephit dhe anëtarët e tjerë të familjes. Ngushëllimet e mia të përzemërta për miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij dhe për fansat kudo që janë. Vdekja e tij e parakohshme në moshën 31-vjeçare është një humbje e madhe për muzikën”.

Në një intervistë të realizuar tetë vjet më parë për revistën “Rolling Stone”, i pyetur rreth ecurisë së karrierës së tij muzikore, Joseph deklaroi se ai është një nga artistët e gjeneratës së re të Marleyt, por që njëkohësisht është duke eksperimentuar me muzikën e tij.