Muzikanti Ziggy Marley ka treguar se libri i tij më i ri për fëmijë, “Pajammin”, është frymëzuar nga energjia e veçantë e babait të tij, ikonës së muzikës reggae, Bob Marley.

Në një intervistë për revistën People, Ziggy, i biri i Bob dhe Rita Marley, u shpreh se ky është i vetmi libër që e ka bërë duke u ndikuar nga figura atërore, përkatësisht nga kënga e tij “Jammin”.
Kënga e Bob Marleyt "Jammin":
“Është libri i vetëm që kam bërë që është ndikuar nga ai. Energjia që qëndron pas tij është e njëjtë me energjinë që kishte babai im”, ka thënë ai.
Ziggy, i cili ka fituar tetë çmime “Grammy”, ka treguar gjithashtu se leximi i librave për fëmijët e tij ka qenë gjithmonë një ritual familjar i rëndësishëm.
“Unë dhe gruaja ime vazhdojmë t’u lexojmë libra fëmijëve tanë më të vegjël para gjumit. Kam shtatë fëmijë, disa janë më të rritur, por katër të fundit i pata kur isha pak më i vjetër në moshë, dhe ne lexonim shumë libra bashkë”, ka treguar ai.
Tani, djali i tij më i vogël është nëntë vjeç dhe lexon vetë, por me një kusht të veçantë.
“Tani më i vogli nuk do më që t’i lexojmë. Ai thjesht do të lexojë vetë. Por ende do që të shtrihemi me të në krevat ndërkohë që lexon!”, ka treguar Ziggy me buzëqeshje.
Ziggy e humbi babanë e tij në vitin 1981, kur ishte vetëm 12 vjeç, por ruan kujtime të çmuara nga koha që kaluan bashkë.
“Më çonte në të gjitha ndeshjet e mia të futbollit kur isha fëmijë. E donim futbollin. Ishte diçka që pëlqenim të dy”, ka kujtuar ai.
Edhe pse shumë njerëz e ndalin për t’i folur për Bob Marleyn dhe trashëgiminë e tij muzikore, Ziggy thotë se e vlerësojnë edhe për punën që ka bërë vetë, përfshirë tetë albume solo dhe suksesin me grupin Ziggy Marley and the Melody Makers.
“Nuk është ndonjë çmenduri apo energji e zhurmshme. Është thjesht bukur. Njerëzit vijnë për arsye të ndryshme, për babanë tim, për atë që bëjmë ne. Është thjesht shumë dashuri”, ka thënë ai për mënyrën se si i qasen adhuruesit.