Liam Payne, njëri prej pesë anëtarëve të grupit "One Direction", ka vdekur në moshën 31-vjeçare.
Këngëtari besohet se ka vdekur pasi është rrëzuar nga kati i tretë i hotelit ku po qëndronte në Buenos Aires të Argjentinës.
Autoritetet ishin thirrur në hotelin "Casa Sur" pas raportimeve për një burrë i cili kishte sjellje agresive dhe besohej se ishte nën ndikimin e drogës dhe alkoolit. Ndihma e shpejtë arriti në vendin e ngjarjes, por fatkeqësisht konfirmuan se burri i identifikuar si Liam Payne, tashmë kishte vdekur.
Hetimet po vazhdojnë dhe policia krahas aksidentit, po e konsideron mundësinë që këngëtari të jetë vetëvrarë. Miqtë dhe adhuruesit e tij kanë mbetur të shokuar me lajmin e humbjes së një prej artistëve më të talentuar të gjeneratave të fundit, muzika e së cilit ka prekur zemrat e miliona njerëzve anembanë botës.
I lindur në Woverhampton të Anglisë, Payne karrierën muzikore e filloi si pjesëmarrës në talent shoun, “The X Factor”, në vitin 2008. Atë vit u largua nga gara, për t'u rikthyer dhe njëherë 2 vjet më vonë me ç'rast përfundoi duke u bërë grup bashkë me këngëtarët e tjerë, Harry Styles, Niall Horan, Louis Tomlinson dhe Zayn Malik.
Ata zunë vendin e tretë në këtë garë muzikore dhe menjëherë arritën të nënshkruajnë kontratë bashkëpunimi me studion incizuese të mentorit Simon Cowell, "Syco Entertainment".
Edhe
Raportohet se pesë persona akuzohen për vdekjen e Liam Paynet
Pas shpërbërjes së grupi "One Direction" në vitin 2016, Payne e vazhdoi karrierën si solo-artist duke realizuat hite të shumta, përfshirë këtu: "Familiar", "Stack it Up", "Get Low", "Bedroom Floor", "Sunshine" dhe hiti "For you" në bashkëpunim me pop-yllin me prejardhje kosovare, Rita Ora.
Liam Payne ka lënë pas një djalë 7-vjeçar, Bear Grey Payne, të cilin e ka me ish-partneren Cheryl Cole.