Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Vdiq ikona amerikane e rokut, David Crosby

Ka vdekur legjenda e rokut, David Crosby, si pasojë e një sëmundjeje të gjatë. Ai ishte 81-vjeçar. Në momentet e fundit të jetë, muzikanti ishte i rrethuat nga familja e tij.

“Me pikëllim të thellë ju njoftojmë se pas një sëmundjeje të gjatë, ka vdekur më i dashuri ynë, David (Croz) Crosby. Ai ishte i rrethuar nga dashuria e gruas dhe shpirtit të tij binjak, Jan, dhe djali i tyre Django. Edhe pse ai më nuk është në mesin tonë, humanizmi dhe shpirti i tij i butë do të vazhdojë të na udhëheqë dhe frymëzojë gjatë gjithë jetës. Trashëgimia e tij do të vazhdojë të jetojë përmes muzikës së tij legjendare. Paqe, dashuri dhe harmoni për të gjithë ata që e njohën Davidin dhe ata që ai i preku dhe motivoi me artin e tij. Do të na mungojë shumë. Faleminderit për të gjitha lutjet dhe dashurinë që po na ofroni në këtë kohë të vështirë për ne”, shkruhej në deklaratën e lëshuar nga familja e tij për revistën “Variety”.

Crosby iu bashkua rok-grupit “The Byrds” në vitin 1964, teksa shumë shpejtë u shndërruan në një prej bendeve më të mëdha në botë. Sidoqoftë, Crosby u largua nga grupi në rrethana të vështira në vitin 1967, dhe më pas e themeloi bendin “Crosby, Stills and Nash” me muzikantët tjerë, Stephen Stills dhe Graham Nash.

Për herë të parë kjo treshe performoi së bashku në festivalin legjendar, “Woodstock”, në vitin 1969.

“Crosby, Stills and Nash” patën sukses të madh në vitet ‘70, dhe ata ende njihen gjerësisht si një nga grupet më me ndikim të epokës.

Jashtë muzikës, Crosby ishte i hapur politikisht dhe pati edhe përplasje të shumta me ligjin gjatë jetës së tij, duke përfshirë arrestimin në vitin 1982, nën akuzat për posedim të drogës dhe armëve.

Gjatë karrierës së tij, ikona e muzikës gjithashtu i lansoi gjashtë albume si solo artist.

Artikuj të ngjashëm