Anne Heche, aktorja e shpërblyer me çmim “Emmy” e cila u bë e famshme gjatë viteve ’90 dhe gëzonte një karrierë të suksesshme në Hollywood, vdiq nga lëndimet e marra në një aksident me veturë. Ajo ishte vetëm 53-vjeçare, raportoi të hënën agjencia e lajmeve “AP”.
Në mënyrë paqësore, Heche u shkëput nga aparati që po e mbante gjallë, bëri të ditur zëdhënësja e aktores së dielën (14 gusht).
Aktorja po qëndronte në një qendër ku trajtohen pacientët me djegie të rënda në Los Anxhelos, kjo pasi pësoi dëmtim të rëndë anoksik të trurit të shkaktuar nga mungesa e oksigjenit, kur vetura e saj u përplas në një shtëpi më 5 gusht.
Të premten (12 gusht), mjekët deklaruan se truri i aktores ka vdekur dhe ajo po mbahej në jetë me ndihmën e aparateve, në mënyrë që gjithçka të finalizohej për dhurimin e organeve.
E lindur në Ohio, Heche e kishte një fëmijëri abuzive dhe tragjike, çka edhe e shtyri të merrej me aktrim në mënyrë për t’i shpëtuar jetës së saj.
Edhe
I biri i aktores së ndjerë Anne Heche, kërkon menaxhimin e pasurisë së saj
Qysh në moshë të re kishte treguar talent të jashtëzakonshëm në aktrim, duke ju ofruar role profesionale. Nga viti 1987 deri më 1991 ajo luajti në serialin televiziv “Another World”, për të cilin projekt e fitoi një çmim “Emmy”.
Nga fundi i viteve ’90, Heche u shndërrua në një prej aktoreve më të kërkuara në Hollywood, duke marrë pjesë vazhdimisht në filma me buxhet të lartë dhe duke i kryesuar ballinat e revistave prestigjioze.
Në vitin 1997 ajo luajti krahas yllit, Johnny Depp, në filmin “Donnie Brasco”, dhe krahas aktorit veteran Tommy Lee Jones në filmin “Volcano”. Një vit më vonë, aktorja u angazhua në rolin protagonist krahas aktorit, Harrison Ford, në filmin “Six Days, Seven Nights”, si dhe u shfaq krahas Vince Vaughnit dhe Joaquin Phoenixit në projektin, “Return to Paradise”.
Përafërsisht në të njëjtën kohë, jeta private i solli famë edhe më të madhe, por edhe i shkaktoi trazira në aspektin personal dhe profesional. Heche u takua me aktoren komike, Ellen DeGeneres, në një festë të organizuar pas ceremonisë “Oscar”, me të cilën ra në dashuri dhe e filloi një lidhje 3-vjeçare. Kështu ato u shndërruan në një nga çiftet e para homoseksuale të Hollywoodit.
Edhe
Aktorja Anne Heche nuk pritet të jetojë pas aksidentit, thotë familja
Por, pas disa vjetëve, Heche tha se karriera e saj ishte dëmtuar nga një industri e cila hezitonte ta angazhojë në rolet protagoniste, për shkak të orientimit të saj seksual. Ajo madje e kujtoi një moment kur këshilltarët e kishin kundërshtuar vendimin e saj që, DeGeneres, ta shoqëronte në premierën e filmit “Volcano”.
Pas ndarjes nga prezantuesja e njohur televizive, Anne Heche pësoi thyerje psikike dhe vazhdoi të flasë publikisht dhe sinqerisht për betejën e saj me shëndetin mendor.
