Kinematografia spanjolle është në zi pas lajmit për ndarjen nga jeta të aktores së njohur Verónica Echegui, në moshën 42-vjeçare.
Sipas mediave spanjolle, ajo ndërroi jetë të dielën (24 gusht 2025) në një spital të Madridit, pas një beteje private me kancerin, raporton FemaleFirst.
Gjatë karrierës 18-vjeçare, Echegui u shfaq në mbi 30 filma dhe seriale televizive, duke u bërë një nga aktoret më të dashura dhe më të njohura të ekranit spanjoll.
Ajo fitoi famë me filmin “I Am Juani” (2006), i cili u bë pikënisja e suksesit të saj.
Dy vite më vonë, ajo u rikthye në qendër të vëmendjes me filmin “My Prisoner’s Yard” (2008), nën regjinë e Belén Macías dhe prodhuar nga Pedro Almodóvar.
Në vitin 2009, Echegui kaloi në skenën ndërkombëtare duke luajtur në filmin britanik “Bunny and the Bull” me Noel Fielding dhe Richard Ayoade, ndërsa në Hollywood u shfaq në thrillerin “The Cold Light of Day” (2013) krahas Sigourney Weaver dhe Bruce Willis.
Së fundmi, ajo mori pjesë në projekte të mëdha si seriali “Fortitude” në Amazon Prime dhe komedia romantike dygjuhëshe “Book of Love” (2022), ku luajti përballë aktorit Sam Claflin.
Në muajin gusht të vitit 2023, Echegui xhiroi për Apple TV+ serialin “Love You To Death”, ku interpretoi Martën, një grua shtatzënë që rikthehet në kontakt me mikun e saj të fëmijërisë, Raúl (Joan Amargós), pas diagnozës së tij me kancer në zemër.
Gjatë promovimit të këtij seriali, ajo kishte reflektuar për temën e vdekjes dhe jetës.
“Seriali bën shumë pyetje për vdekjen dhe jetën, sepse është e pamundur të flasësh për vdekjen pa folur për jetën dhe mënyrën se si e jeton atë. Mendoj se vetëm njerëzit që të duan me të vërtetë kanë guximin të të thonë: ‘A e ke menduar nëse kjo është e duhura? Je i lumtur kështu apo jo?’”, pati thënë ajo.
Echegui lindi në Madrid në vitin 1983. Pasi hoqi dorë nga studimet për sociologji, ajo u regjistrua në Shkollën Mbretërore të Artit Dramatik, duke ndjekur pasionin e saj për aktrimin. Fillimisht u shfaq në seriale televizive si “A New Life” dhe “Paco and Veva”, përpara se të hynte në botën e filmit, ku la gjurmë të pashlyeshme.
Pas lajmit për vdekjen e saj, shumë figura të njohura kanë shprehur ngushëllimet.
“Jam thellësisht i tronditur nga lajmi i ndarjes nga jeta të Verónica Echegui, një aktore me talent dhe përulësi të jashtëzakonshme që na la shumë herët. Përqafim të sinqertë në këto momente kaq të vështira për familjen dhe miqtë e saj”, është shprehur kryeministri spanjoll Pedo Sánchez.
Ndërsa aktori i mirënjohur Antonio Banderas shkroi në rrjetin X se kinemaja spanjolle është në zi.
“Sot kinemaja spanjolle është në zi për ndarjen nga jeta të Verónica Echegui. Ngushëllimet e mia për familjen dhe miqtë e saj”, ka shkruar Banderas.
Edhe Unioni i Aktorëve dhe Aktoreve të Spanjës e nderoi atë, duke e cilësuar si aktore të dashur dhe zë të rëndësishëm për kinemanë spanjolle.