Vdekja e tij tronditi fansat dhe pati jehonë të madhe në botën e muzikës, por dekada më vonë, momentet e fundit të vokalistit kryesor të Nirvanas, Kurt Cobain, po shqyrtohen sërish me vëmendje.
Cobain vdiq më 5 prill 1994, në moshën 27-vjeçare, nga një plagë me armë gjahu që u konsiderua e vetë-shkaktuar, në shtëpinë e tij në Seattle. Në atë kohë, Mjeku Ligjor i Qarkut King e shpalli vdekjen vetëvrasje, e shkaktuar nga një armë gjahu Remington Model 11, kalibër 20.
Por një ekip jozyrtar nga sektori privat, i përbërë nga shkencëtarë mjeko-ligjorë, ka rishikuar autopsinë dhe materialet nga vendngjarja. Në ekip është përfshirë edhe Brian Burnett, një specialist që më parë ka punuar në raste mbidozash të pasuara nga trauma me armë zjarri, shkruan Daily Mail.
Studiuesja e pavarur Michelle Wilkins, e cila ka bashkëpunuar me ekipin, i ka thënë Daily Mail se pas vetëm tre ditësh shqyrtimi të provave me një këndvështrim të ri, Burnett ka thënë se “Kjo është vrasje”.
Ajo tha se ky përfundim erdhi pas një analize të hollësishme të gjetjeve të autopsisë, të cilat treguan shenja që nuk përputhen me një vdekje të menjëhershme nga një goditje me armë gjahu.
Punimi i rishikuar nga ekspertë (peer-reviewed) paraqiti dhjetë pika prove që sugjerojnë se Cobain u përball me një ose më shumë sulmues, të cilët i shkaktuan fillimisht një mbidozë heroine për ta paaftësuar, dhe më pas njëri prej tyre e qëlloi në kokë, ia vendosi armën në krahë dhe la pas një letër vetëvrasjeje të falsifikuar.
“Ka gjëra në autopsi që të bëjnë të thuash: prit pak, ky person nuk ka vdekur shumë shpejt nga një goditje me armë”, ka thënë Wilkins, duke iu referuar dëmtimeve të organeve të lidhura me mungesën e oksigjenit. “Nekroza e trurit dhe e mëlçisë ndodh në një mbidozë. Nuk ndodh në një vdekje nga armë gjahu”, ka shtuar ajo.
Burnett ka dekada përvojë në analizimin e vendngjarjeve dhe interpretimin e provave komplekse. Ai ka fituar njohje kombëtare për analizat e tij në raste të debatueshme, si vdekja e kolonelit të Marinës James Sabow dhe hetimi për Billey Joe Johnson Jr., ku rindërtimet e tij të kujdesshme mjeko-ligjore vunë në dyshim përfundimet zyrtare.
Një zëdhënës i Zyrës së Mjekut Ligjor i ka thënë Daily Mail: “Zyra e Mjekut Ligjor të Qarkut King punoi me agjencinë lokale të zbatimit të ligjit, kreu një autopsi të plotë dhe ndoqi të gjitha procedurat për të arritur në përfundimin se shkaku i vdekjes ishte vetëvrasje.
“Zyra jonë është gjithmonë e hapur për të rishikuar përfundimet nëse dalin prova të reja, por deri më sot nuk kemi parë asgjë që do të justifikonte rihapjen e këtij rasti apo ndryshimin e vendimit tonë”, ka shtuar ai.
Daily Mail ka shqyrtuar autopsinë e Cobainit, e cila përshkruan se si trupi i tij u gjet në dysheme mbi garazhin e tij.
“Për mua, duket sikur dikush ka inskenuar një film dhe ka dashur që të jeni absolutisht të sigurt se kjo ishte vetëvrasje”, ka thënë Wilkins.
Autopsia e re e Cobain tregon një sërë provash të cilat çojnë në bindjen se vdekja e tij nuk ishte vetëvrasje.
Wilkins argumentoi se Cobain mund të ketë qenë fizikisht i paaftësuar përpara goditjes fatale me armë.
Sipas saj, madhësia dhe mekanizmi i armës e bënin të pamundur që Cobaini duke qenë në koma të mund ta përdorte atë.
“Nëse shikon fotografitë e vendngjarjes, mund të shohësh sa e madhe është arma”, ka thënë ajo.
“Imagjino se ai është në koma dhe po vdes, dhe gjithashtu mënyrën si do të duhej ta mbante… pesha e saj është gjashtë paund (mbi 2 kg).
Ajo gjithashtu theksoi se dora e majtë e Cobainit ishte jashtëzakonisht e pastër.
“Nëse shikoni ndonjëherë fotografi të vetëvrasjeve me armë gjahu, ato janë brutale. Nuk ka asnjë rast ku kjo dorë të mos jetë e mbuluar me gjak”, ka sqaruar ajo.
Wilkins gjithashtu ka përmendur mostra të gjakut që sugjerojnë se trupi mund të ketë qenë i zhvendosur.
Letra e dyshuar e vetëvrasjes gjithashtu është shqyrtuar.
“Pjesa e sipërme e letrës është shkruar nga Kurt”, ka thënë Wilkins. “Nuk ka asgjë për vetëvrasjen aty. Në thelb ai flet vetëm për të lënë bendin”.
“Më pas ka katër rreshta në fund. Nëse shikoni letrën, mund të shihni që katër rreshtat e fundit janë shkruar në mënyrë tjetër… teksti është pak më ndryshe”, është shprehur ajo.
Wilkins ka theksuar se ekipi nuk po kërkon arrestime, por kërkon transparencë dhe një rishikim të provave.