CBS e ka kërkuar edhe një sezon të hit serisë së vet kriminalistike “Blue Bloods”, shkruan The Hollywood Reporter.
Bëhet fjalë për sezonin e 10-të i cili do të fillojë të transmetohet në vjeshtë kur do të transmetohet episodi i 200-të jubilar. CBS ka vendosur ta zgjasë serinë vetëm pasi që një prej yjeve kryesore të serisë, Tom Selleck, e ka nënshkruar një kontratë të re që do të mbetet në rolin e Frank Reagan.
"Blue Bloods është një nga dramat më të shikuara dhe një prej serive me vlerësimin më të mirë në terminin e të premtes mbrëma, që nga fillimet e transmetimit të saj. Shumë njerëz thonë se e premtja mbrëma është koha më e keqe për televizionin, por kjo seri falë skenarit cilësor, aktrimit të shkëlqyer dhe një atmosfere familjare gjatë të gjitha 9 viteve e kishte “ngjitur” për ekranin e vogël çdo të premte një mesatare prej 13 milionë shikuesve. Jemi shumë të gëzuar që Tom do të vazhdojë të luajë dhe se seria do të mbetet një pjesë e rëndësishme e orarit të CBS edhe në vitin e dhjetë", tha presidenti i CBS Entertainment, Kelly Kahl.

Seria është e dyta më e shikuara që shfaqet të premteve, menjëherë pas komedisë së Fox, “Last Man Standing”. CBS thotë se Blue Bloods është seria e tyre më e shikuar dramatike në platformat digjitale, duke përfshirë CBS All Access.
Së bashku me Selleck, yjet tjera të serisë janë Donnie Wahlberg, Bridget Moynahan, Will Estes, Len Cariou, Sami Gayle, Marisa Ramirez dhe Vanessa Ray, shkruan KOHA Ditore.
Aktualisht po shfaqet sezoni i nëntë i Blue Bloods, ndërkohë që kanë mbetur edhe tre episode deri në fund të sezonit ku episodi i fundit do të jetë më 10 maj.