Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Sezoni i pestë i serialit “Better Call Saul” mbërrin në shkurt

Një vit e gjysmë pas premierës së sezonit të katërt, po vjen edhe i pesti. Sipas shumë shikuesve, “Better Call Saul” është spin-offi i një prej serive më të mira të të gjitha kohërave, “Breaking Bad”, dhe me katër sezonet e veta deri më tani absolutisht i ka mahnitur shikuesit. Sezoni i katërt përfundoi në tetor të vitit 2018, kështu që fansat kishin pritur shumë për vazhdimin e serialit i cili mbërrin së shpejti, ndërsa AMC së bashku me datën e premierës ka dhuruar edhe një teaser të shkurtër.

Në sezonin e ri, personazhi i Bob Odenkirk, Jimmy McGill është i gatshëm të bëhet plotësisht Saul Goodman. T’ju rikujtojmë, sezoni i kaluar përfundoi ashtu që Jimmy e zbuloi veten para Kim (Rhea Seehorn) dhe e ndryshoi emrin nga Jimmy në Saul. Kur seriali filloi, të gjithë prisnin që do ta shihnim avokatin enigmatik Saul të cilin ishim mësuar ta shohim në “Breaking Bad”, por në fund, doli që aliasi i tij ishte ndërtuar gjatë katër sezoneve në të cilat kemi zbuluar se pse Saul ishte çfarë ishte.

Image

“Better Call Saul” ishte nominuar për 3 Golden Globes (respektivisht Odenkirk për rolin e tij si Jimmy), ndërsa i ka fituar rreth 20 çmime të ndryshme, shkruan KOHA Ditore. Një nga krijuesit e serialit, Peter Gould tha në fund të sezonit të katërt se po i afroheshim fundit të serialit, por tani për tani është e sigurt që sezoni i pestë nuk do të jetë i fundit, kështu që e presim sigurisht (të paktën) edhe sezonin e gjashtë. Së bashku me Odenkirk dhe Seahorn luajnë edhe Michael Mando, Jonathan Banks dhe Giancarlo Esposito.

Sezoni i pestë i serisë “Better Call Saul” premierë do të shfaqet më 23 dhe 24 shkurt vitin e ardhshëm pasi që dy episodet e para do të transmetohen dy ditë me radhë.