Showbiz

U shfaq premiera e filmit të ri aksion “Ambulance”

Foto: AP/Associated Press

Aktori i njohur hollywoodian, Jake Gyllenhaal, e di që puna në një film të regjisorit, Michael Bay, nuk është asnjëherë e mërzitshme, raporton agjencia e lajmeve “AP”.

Ylli 41-vjeçar luan në filmin e ri, “Ambulance”, i cili sjell shumë momente të rrezikshme por edhe emocionuese në ekran të madh.

“Kjo ishte pjesa më e bukur e gjithë kësaj eksperience. Më kujtohet kur erdha në shtëpi pas xhirimit të kësaj skene, ku dy helikopter po e ndiqnin autoambulancën tonë dhe unë po qëndroja jashtë saj gjatë gjithë kohës dhe isha i mbuluar nga balta. Kjo skenë as nuk ishte planifikuar dhe nuk ishte fare pjesë e skenarit. Ajo ishte një ditë mjaft përmbushëse për mua. Por, sinqerisht realizimi i këtij filmi ishte një eksperiencë argëtuese, dhe njëkohësisht një çmenduri e vërtetë kur e dije se jemi në mes të një pandemie dhe ne kishim rastin të punonim”.

Filmi i mbushur me skena aksion është xhiruar gjatë pandemisë, me sfidat shoqëruese në sheshin e xhirimeve.

“Sfida më e madhe ishte t’i xhironim të gjitha skenat e filmit me shpejtësi marramendëse dhe të siguroheshim se nuk po harronim diçka. Me të vërtetë më dukej sikur po e xhiroja sërish filmin, ‘Bad Boys I’, sepse edhe në atë projekt, koha e xhirimeve ishte e kufizuar. Pra, ky është një prej atyre filmave që kërkon të jesh në formën më të mirë të mundshme dhe ta dish saktë se çfarë dëshiron të krijosh. Fatmirësisht unë gjithmonë jam i qartë se çfarë dua të bëjë në filmat e mi, por kishte ditë kur ndihesha i stresuar dhe totalisht i humbur”, deklaroi regjisori.

I bazuar në filmin danez të vitit 2005 me të njëjtin titull, projekti i studios “Universal” në rolet kryesore i sjell aktorët, Jake Gyllenhaal dhe Yahya Abdul-Mateen. Ky i fundit e portretizon një ushtar veteran i cili kërkon ndihmë nga miku i tij për t’i siguruar 231 mijë dollarë, të cilat i nevojiten për ta paguar operacionin e gruas. Zgjidhja e personazhit të Gyllenhaalit, është vjedhja e 32 milionë dollarëve në një bankë. Ata e vjedhin një autoambulancë të cilën e shfrytëzojnë për të ikur nga policia, pasi plani i tyre për vjedhje të qetë dështon dhe situata komplikohet.

Në film, dy shokët shfaqen duke provuar të shpëtojnë nga ekipi i njësisë speciale “SWAT”, veturat e shumta të policisë dhe helikopterët e Departamentit të Policisë në Los Angeles.

Abdul-Mateen tha se nuk e kishte takuar dhe nuk kishte punuar me Gyllenhaalin më parë, por kimia mes tyre ishte e menjëhershme.

“Jo, nuk e njihja atë aspak. E adhuroja punën e tij, natyrisht, sepse ai ka kohë të gjatë që është pjesë e kësaj industrie dhe ka shumë projekte të suksesshme prapa vetes. Por, qysh në fillim ne e krijuam një raport të mirë mes vete dhe u afruam shumë me njëri-tjetrin. Nuk kishim shumë kohë t’i mendonim gjërat. Të gjithë ne e krijuam këtë film magjik për vetëm 38 ditë, prandaj pa hezituar fare e pranonim çdo mundësi që na jepej. I besuam filmit dhe njëri-tjetrit dhe u argëtuam pa masë”, përfundoi Abdul-Mateen.

Me një ngjarje e cila zë vend në Los Angeles, filmi i zhanrit triler dhe aksion vjen i realizuar nga regjisori, Michael Bay. Krahas Gyllenhaalit dhe Mateenit, në film luajnë edhe aktorët: Eiza González, Garret Dillahunt dhe Devan Long.

“Ambulance” do të fillojë së shfaquri nëpër kinematë e Shteteve të Bashkuara nga 8 prilli i këtij viti.