Super ylli i filmave aksion, Vin Diesel, arriti në Los Angeles të martën mbrëma për ta promovuar filmin e tij të ri, “Bloodshot”, i cili bazohet në personazhin e librave komik “Valiant”.
Në film, Diesel e portretizon një marins të vrarë i cili me ndihmën e nano-teknologjisë dhe një grupi shkencëtarësh, kthehet në jetë me superfuqi të jashtëzakonshme.
“Jam shumë i lumtur ta shikoj filmin sonte. Po ashtu më vjen mirë që kaq shumë njerëz janë shfaqur në premierë, gjë që e vërteton atë që po e them tash e sa kohë, që njerëzit kanë nevojë t’i ikin izolimit dhe mua më vjen mirë që ua kemi mundësuar këtë gjë. Ky është një film argëtues, dhe mezi po pres ta shohë reagimin dhe vlerësimin e njerëzve pasi ta shikojnë atë,” tha Diesel, gjatë parakalimit të tij mbi qilim të kuq.
Premiera e filmit si dhe lansimi i tij nëpër kinema vjen në një kohë kritike për shoqërinë, teksa bota është tronditur me shpërthimin e koronavirusit i cili ka marrë jetët e disa mijëra personave, transmeton Koha. Paniku që përhapja e kësaj sëmundjeje ka shkaktuar, po ashtu ka ndikuar dukshëm në industrinë e showbizit, me anulimin e ngjarjeve të shumta fitimprurëse si, premierat e lansimet kinematografike dhe koncertet e festivalet muzikore.
Filmi “Bloodshot” në të cilin luajnë edhe aktorët Eiza Gonzalez, Guy Pearce dhe Sam Heughan, do të fillojë shfaquri nëpër kinema nga 13 marsi.