Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Triumfi i artistëve latinë, Peso Pluma dhe Bad Bunny 

Ylli i muzikës meksikane, Peso Pluma, ishte fituesi kryesor i ceremonisë së sivjetme, “Billboard Latin Music Awards”, duke i fituar tetë shpërblime gjithsej përfshirë këtu çmimin, “Artisti më i mirë i ri”.

Pas Plumas, më i shpërblyeri ishte superylli global, Bad Bunny, me gjithsej shtatë sosh. Këtu përfshihen edhe kategoritë, “Artisti më i mirë i vitit” “Turneu i vitit” dhe “Global 200 Latin Artist of the year”.

Që të dy, Pluma dhe Bad Bunny, performuan në skenë disa prej hiteve më të pëlqyera të publikut. Vjetëve të fundit muzika latine i ka dominuar toplistat anembanë botës. 

Pesë çmime të rëndësishme arriti t’i fitojë edhe këngëtarja kolumbiane, Karol G, dy prej së cilave shkuan për albumin e saj mjaft të suksesshëm, “Mañana Será Bonito”. Ky incizim kishte arritur të debutojë në vendin e parë të toplistës së 200 albumeve më të mira “Billboard”. Njëherësh është albumi i parë në gjuhën spanjolle nga një artiste femër që e arrin këtë sukses në historinë e “Billboard”. 

 Karol G po ashtu u nderua për angazhimin e saj në bamirësi me çmimin “Spirit of Hope”, i cili u frymëzua nga ikona e ndjerë e popit, Selena Quintanilla. Këngëtarja ka qenë vazhdimisht e zëshme për mbrojtjen e grave përmes fondacionit të themeluar nga ajo, “Con Cora Foundation”.

Në mesin e artistëve tjerë të shpërblyer gjatë mbrëmjes ishin edhe, Manuel Turizo, Shakira, Bizarrap, Fuerza Regida, Aventura, Camilo, Edgar Barrera, bendi “Grupo Frontera”, Ivan Cornejo, Maná, Marshmello dhe Romeo Santos.

Edhe Ricky Martin lavdëron Bad Bunnyn pas suksesit në “Grammy”: Fitove pa i fshirë rrënjët tua Showbiz Ricky Martin lavdëron Bad Bunnyn pas suksesit në “Grammy”: Fitove pa i fshirë rrënjët tua

Ceremonia “The Billboard Latin Music Awards” u mbajt në qendrën “Watsco” në Miami. 

Përgatiti: Edona Binaku