Aktori i njohur hollywoodian, Tom Hardy, e ka konfirmuar lajmin se tashmë ka filluar të shkruhet skenari i filmit të tretë “Venom”.
Protagonisti i projektit shumë të suksesshëm në arkat filmike do ta përsërit rolin e Eddie Brock-ut, ndryshe i njohur edhe si Venom, dhe kësaj radhe do të kontribuojë edhe në tregimin e filmit krahas skenaristes, Kelly Marcel, raporton portali “NME”.
Hardy e konfirmoi lajmin e gëzuar për fansat e universit kinematik “Marvel”, duke e postuar në rrjetet sociale një fotografi të faqes së parë të skenarit.
Në një intervistë të fundit, skenaristja Kally Marcel tha se Tom Hardy është 100 për qind i përkushtuar në krijimin e historisë së vazhdimit të tretë të filmit shumë të dashur nga publiku mbarë botëror.
Ajo po ashtu tregoi për dashurinë që aktori e ka për personazhin e tij.
“Tom është i martuar me Venomin. Ai e dashuron vërtetë këtë personazh. Po ashtu është shumë i përfshirë në historinë e tij dhe atë që ai mendon se duhet të ndodhë në filmin e ardhshëm”.
Ndërkohë, regjisori i filmit të kaluar “Venom: Let There Be Carnage”, Andy Serkis, së fundmi deklaroi se do të ishte i gatshëm ta bëjë regjinë e ndonjë filmi të radhës të bazuar në personazhet e librave komik “Marvel”.
“Po, natyrisht se do të më pëlqente ta realizoja ndonjë film të bazuar në universin kinematik ‘Marvelit’. Është një botë e mrekullueshme e cila të sjell shumë argëtim. Shpresoj se do të kem mundësi të punojë sërish në një projekt të tillë. Por, po, jam argëtuar shumë gjatë realizimit të ‘Venom: Let There Be Carnage’, dhe do ta pranoja me shumë dëshirë angazhimin në një projekt të tillë”, deklaroi Serkis.
Filmi i parë “Venom” u lansua në vitin 2018, me një buxhet të realizimit prej 100 milionë dollarësh. Kurse nga shfaqja nëpër kinematë botërore, filmi pati arritur t’i arkëtojë rreth 856 milionë dollarë. “Venom: Let There Be Carnage” u lansua në tetor të vitit 2021. Realizimi i këtij vazhdimi kishte kushtuar gjithsej 110 milionë dollarë, ndërsa nga shfaqja nëpër kinematë botërore, filmi i arkëtoi gjithsej 507 milionë dollarë.