Është publikuar traileri i ri i filmit “Venom: Let There By Carnage”, dhe në të zbulohet për herë të parë personazhi negativ i portretizuar nga aktori, Woody Harrelson.
I njohur me emrin Carnage apo Cletus Kasady, ky personazh u prezantua shkurt në sekuencat e fundit të filmit të parë, “Venom”. Kurse tani, traileri i ri i filmit të ardhshëm e tregon jo vetëm origjinën e tij, por edhe çfarë mund të pritet nga fuqitë e tij shkatërruese.
Traileri i ri po ashtu sjellë pamje ekstra të personazhit tjetër negativ, njëherësh të dashurës së Cletus Kasady, Shriek, e cila në film portretizohet nga ylli i filmave “James Bond”, Naomie Harris.
Në film Tom Hardy e përsërit rolin protagonist të Venomit. Krahas tij në film luajnë edhe aktorë tjerë yje, si Michelle Williams dhe Stephen Graham.
“Venom: Let There Be Carnage”, ishte planifikuar të fillojë së shfaquri nëpër kinema nga 2 tetori vitit 2020, por për shkak të pandemisë studioja filmike prapa këtij projekti me buxhet të lartë, “Sony Pictures”, ishte dashur ta shtyjë atë disa herë.
Ky projekt vjen në regji të Andy Serkisit, i cili e ka marrë këtë detyrë nga regjisori, Ruben Fleischer. Në shkurt të vitit të kaluar ai bëri shaka duke thënë se filmi i tij do të jetë drithërues, duke mos ndarë detaje specifike rreth tij.
Filmi i parë “Venom” u lansua në vitin 2018, me një buxhet të realizimit prej 100 milionë dollarësh. Kurse nga shfaqja nëpër kinematë botërore, filmi pati arritur t’i arkëtojë rreth 856 milionë dollarë. Pritet që edhe vazhdimi i dytë ta gëzoj një sukses të ngjashëm në arkat filmike botërore.
“Venom: Let There Be Carnage” planifikohet të fillojë së shfaquri për publikun e gjerë, më 24 shtator të këtij viti.