Showbiz

Theron dhe Washington me premierë glamuroze në L.A.

Charlize Theron, Kerry Washington dhe pjesa tjetër e kastës së filmit, “The School for Good and Evil”, e hijeshuan qilimin e kuq të shtruar me rastin e premierës së këtij projekti në Los Angeles.

Drama, e bazuar në romanin fantazi për të rinj me të njëjtin emër, ka vite që është në realizim e sipër dhe më në fund është finalizuar nga Netflixi.

“E dini, mendoj se është gjithmonë argëtuese kur mund të shkosh në kinema me familje dhe ta shikosh një film. Për mua është kënaqësi kur i dërgoj fëmijët e mi në kinema dhe kemi mundësi të shikojmë diçka së bashku dhe ta shijojmë gjithashtu si eksperiencë. Mendoj se ky film është i tillë”, tha Theron.

Ky projekti e sjell historinë e dy shoqeve të ngushta, Sophie dhe Agatha, të cilat bahen gati për t’u regjistruar në shkollat ku në të kaluarën janë edukuar personazhe të përrallave. Sophie planifikon të regjistrohet në “shkollën e të mirëve” dhe t’i bashkohet personazheve tjera si Cinderella dhe Snow White, derisa Agatha e di se më shumë përshtatet për “shkollën e të këqijve”. Sidoqoftë, fati i dy mikeshave ndryshon dhe ato detyrohen ta zbulojnë se kush janë në të vërtetë.

“Mendoj se temat që filmi i trajton janë universale. Mendoj se ne sillemi sikur janë vetëm të rinjtë që luftojnë me çështje të së mirës dhe së keqes, por në fakt të gjithë e bëjmë këtë”, deklaroi Washington.

Pikërisht përmes këtyre temave universale, regjisori Paul Feig e pa një mundësi për t’i thyer ndarjet shoqërore që janë përkeqësuar nga pandemia dhe grindjet politike.

Në film po ashtu luajnë aktorët, Laurence Fishburne, Michelle Yeoh, Sofia Anne Caruso, Sofia Wylie dhe Rachel Bloom.

“The School for Good and Evil” ka filluar transmetimin në platformën Netflix nga 19 tetori.