Platforma Netflix po bëhet gati për lansimin e filmit të ri “The Out-Laws”.
Me një kastë të mbushur me aktorë yje si, Adam Devine, Nina Dobrev, Pierce Brosnan dhe Ellen Barkin, filmi i zhanrit krim dhe komedi flet për një menaxher banke, i cili takon vjehrrit e tij në mënyrën më të pazakontë kur ata grabisin bankën ku ai punon.
Brosnan dhe Barkin kanë folur për rolet e tyre në këtë projekt, duke zbuluar pak më shumë për personazhet e tyre që publiku do t’i pëlqejë kur ta shikojnë filmin.
“Billy është një mashtrues dhe është shumë ndryshe nga burrat tjerë”, ka deklaruar Brosnan. “Është një lloj shpirti i humbur. Ai dhe gruaja e tij nuk janë ata që thonë se janë. Në të vërtetë ata janë grabitës bankash, pra janë hajdutë”.
Duke folur për portretizimin e hajdutes Lilly McDermott, ndryshe e njohur me nofkën “Ghost Bandit”, aktorja Ellen Barkin tha: “Më pëlqeu skenari sepse Lily në njëfarë mënyre ishte tipi i gruas së fuqishme por të qetë. Ajo nuk flet shumë, por është luftarake. Unë e dua shumë Piercen dhe e njihja atë edhe më herët, prandaj isha shumë e lumtur të punoja me të në film”.
Në anën tjetër, menaxheri i bankës, Owen, i portretizuar në film nga Adam Devine, ka thënë se ky personazh mbi të gjitha interesohet shumë për të fejuarën, e cila në film portretizohet nga Nina Dobrev, dhe është i gatshëm ta rrezikoj jetën për të.
Tyler Spindel e ka bërë regjinë e filmit duke përdorur një skenar të shkruar nga Ben Zazove dhe Evan Turner. Në rolin e producentëve shërbejnë Adam Devine, Adam Sandler dhe Allen Covert.
“The Out-Laws” fillon së shfaquri në Netflix nga 7 korriku.
Përgatiti: Edona Binaku