Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Teyana Taylor skenariste, producente e regjisore e filmit të saj të ri

Teyana Taylor

Teyana Taylor

Foto: Associated Press

Aktorja dhe këngëtarja amerikane Teyana Taylor po përgatitet të marrë një rol edhe më të madh në kinematografi. Ajo ka shitur një projekt origjinal komedie te kompania “Warner Bros.”, për të cilin do të jetë bashkëskenariste dhe producente, ndërsa pritet të marrë edhe drejtimin si regjisore.

Sipas The Hollywood Reporter, filmi do të jetë një komedi e fokusuar te gratë, me elemente të humorit dhe realizimit të dëshirave personale. Historia do të trajtojë lidhjet romantike dhe sfidat e takimeve në ditët e sotme, duke u frymëzuar nga përvojat personale të Taylor dhe historitë e shoqeve të saj.

Projekti do të realizohet përmes kompanisë së saj të produksionit, “The Aunties”, në bashkëpunim me producenten Coco Gilbert.

Ndërkohë, Taylor po përfundon edhe filmin e saj të parë si regjisore, “Get Lite”, një produksion i “Paramount” që pritet të dalë në muajin gusht të vitit 2027. Në film luajnë Storm Reid dhe Ceyair Wright. Historia ndjek një student kërcimi, i cili zbulon dashurinë, frymëzimin dhe një ndjenjë të re familjeje në metronë e New Yorkut.

Pavarësisht suksesit profesional, aktorja ka pranuar se balancimi i karrierës me mëmësinë nuk është gjithmonë i lehtë. Taylor, nënë e dy vajzave, Rue, 6 vjeçe, dhe Junie, 11 vjeçe, ka treguar se e ka të vështirë të qëndrojë larg tyre.

“Kur jam larg fëmijëve, më kap ankthi i ndarjes dhe ndonjëherë kaloj periudha të vështira emocionalisht. Ky është një nga vitet më të ngarkuara dhe më të suksesshme të karrierës sime, por po përpiqem ta balancoj këtë me mëmësinë”, është shprehur ajo për revistën Allure.

Karriera e Taylor po kalon një periudhë veçanërisht të suksesshme, sidomos pas nominimit për çmimin “Oscar” për interpretimin në filmin “One Battle After Another” të regjisorit Paul Thomas Anderson.

Në një intervistë për podcastin Awardist, ajo ka folur edhe për rëndësinë e ëndrrave dhe mundësive të papritura.

“Kam qenë gjithmonë një person që ëndërron shumë. Nuk e di kurrë se cila prej ëndrrave të mia mund të bëhet realitet. Kur isha e vogël, shikoja emisionin ‘Saturday Night Live’ dhe nuk do ta kisha imagjinuar kurrë se një ditë do të isha prezantuese e tij, në të njëjtin vit kur do të nominohesha për ‘Oscar’”, ka treguar aktorja.

Ajo ka shtuar se ndihet jashtëzakonisht mirënjohëse që sot mund të jetë frymëzim për vajza të tjera që e ndjekin nga shtëpia.

“Jam e mbushur me gëzim dhe mirënjohje. Është një emocion i madh, në kuptimin më të bukur të fjalës”, ka përfunduar Taylor.