Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Taylor Swift në luftë për të drejtat autoriale, për muzikën e krijuar prej vitesh

Ajo e ka paditur shtëpinë diskografike për mashtrim dhe shkelje të të drejtave, derisa ata po mbrohen se çdo gjë që po e bëjnë është ligjore dhe në pajtim me autoren.

Megjithatë, dhjetë vjet më parë producenti muzikor, menaxheri dhe gjuetari i talenteve Scott Borchetta e nënshkroi një kontratë me 15-vjeçaren e atëhershme Taylor Swift. Këngëtarja në ngritje, e cila merret me muzikë që nga fëmijëria, përparoi shpejt dhe u bë shembull i adoleshentëve të shumtë.

Me kalimin e kohës Swift ishte gjithnjë e më e pakënaqur me marrëdhënien me shtëpinë diskografike dhe pas skadimit të kontratës dhjetëvjeçare vendosi të largohej nga Borchetta dhe ta gjejë një shtëpi të re produksioni. Atëherë iu ofrua që për çdo album të ri të cilin e publikon ajo e ka të drejtën t’i mbajë të gjitha të drejtat autoriale për një të vjetër, shkruan KOHA Ditore.

Duke pasur parasysh se ishte e pakënaqur me kushtet dhe ofertën, Swift shkoi në shtëpinë diskografike konkurruese. Në anën e saj të tregimit thuhet se Borchetta ia ka shitur shtëpinë e vet diskografike të quajtur “Big Machine Label Group” muzikantit dhe menaxherit të njohur Scooter Braun, përkatësisht kompanisë së tij “Ithaca Holdings” për 300 milionë dollarë, ndërsa këngëtarja për të gjitha këto mësoi nga mediat.