Drama distopiane e Koresë Jugore, “Squid Game”, është bërë shou më i shikuar në Netflix, me tërheqjen e më shumë se 111 milionë fansave nga debutimi i tij, para më pak se katër javëve. Kështu bëri të ditur platforma e njohur digjitale.
Seriali hit “Squid Game”, e rrëfen historinë e një grupi prej 456 personash, në borxhe dhe të dëshpëruar, të cilët joshen në një lojë mbijetese ku ata kanë mundësinë të largohen me 39 milionë dollar, nëse fitojnë një seri prej gjashtë lojërash. Sfida është, se ata vdesin nëse humbin. Lojërat janë mjaft të thjeshta - ato janë lojëra të fëmijërisë me të cilat ata janë rritur. Dhe kjo përballje e habitshme në lojëra të fëmijëve të pafajshëm me vdekje të dhunshme ka bërë që shikuesit e shout të rriten.
Duke u përhapur në të gjithë botën përmes fjalëve, diskutimeve e postimeve të njerëzve në rrjetet sociale, seriali ka arritur t’i kryesojë listat e Netflixit në më shumë se 80 shtete.
“Shou me titull ‘Squid Game’, tani zyrtarisht i ka arritur 111 milionë adhurues, duke e shënuar lansimin më të madh në historinë e platformës sonë”, thuhej në një komunikatë të lëshuar nga Netflixi.
Seriali ka arritur ta mund suksesin e dramës romantike, “Bridgerton”, e cila kishte debutuar me numër rekord të shikuesve. Më saktësisht, 82 milionë familje e kishin shikuar atë me të filluar së transmetuari në Netflix.
Suksesi i fundit i “Squid Game” e përforcon edhe ndikimin gjithnjë e më të madh të Koresë së Jugut në kulturën globale, pas grupit të muzikës K-pop, “BTS” dhe filmit “Parasite”, i cili u shpërblye me disa çmime “Oscar”.
Në muajin shkurt, platforma digjitale më e popullarizuar në botë, i bëri të ditura planet për të shpenzuar 500 milionë dollarë vetëm këtë vit, në seriale dhe filma të prodhuar në Korenë e Jugut.