Muzikanti Smokey Robinson, ka ngritur padi për shpifje, duke kërkuar 500 milionë dollarë dëmshpërblim, ndaj katër ish-punëtoreve të tij të shtëpisë, mirëmbajtëseve, të cilat e kanë akuzuar për sulm seksual. Padia u dorëzua të mërkurën në Kaliforni nga Robinson dhe bashkëshortja e tij, Frances, ka raportuar BBC.
Sipas tyre, akuza për përdhunim është e fabrikuar dhe ka si qëllim përfitimin financiar përmes një procesi gjyqësor që ata e quajnë “shantazhues”.
“Robinsonët nuk i kanë abuzuar, dëmtuar apo shfrytëzuar paditëset; përkundrazi, i kanë trajtuar me mirësinë dhe bujarinë më të madhe”, thuhet në padinë e dorëzuar në gjykatë.
Katër gratë, të gjitha me prejardhje hispanike, e paditën këngëtarin më 6 maj në Gjykatën e Los Angelesit, nën pseudonimet Jane Doe 1, 2, 3 dhe 4. Ato pretendojnë se sulmet e Robinsonit datojnë që nga viti 2006 dhe se ai u ka ushtruar presion për marrëdhënie seksuale.
Sipas padisë së tyre, gratë nuk kishin folur më herët nga frika për humbjen e punës, reagimet nga familja apo ndikimi në statusin e tyre të imigrimit. Ato kërkojnë të paktën 50 milionë dollarë dëmshpërblim dhe gjykim me juri.
Avokatët e Robinsonit kanë kërkuar gjithashtu që padia e grave të hidhet poshtë, duke kundërshtuar të drejtën e tyre për anonimat, pasi sipas tyre, akuzat janë të pabaza dhe me motive financiare.
Në padinë e tyre, Smokey dhe Frances Robinson pretendojnë se gratë në fjalë kanë kaluar pushime familjare me ta dhe kanë festuar festat së bashku, duke e përforcuar pretendimin se marrëdhënia e tyre me to ka qenë miqësore dhe jo abuzive.
Ndërkohë, policia e Los Angelesit ka hapur hetim penal ndaj Smokey Robinson, i cili ka mohuar kategorikisht çdo akuzë.
“E mirëpres këtë hetim sepse ekspozimi ndaj së vërtetës është gjë e fuqishme”, ka thënë ai.
Smokey Robinson, 85 vjeç, është një nga figurat më të mëdha të historisë së muzikës amerikane. Ai ka shkruar hite të pavdekshme si “My Girl” dhe “My Guy” si dhe ka lënë gjurmë si këngëtar me këngë të famshme si “Tracks of My Tears”, “Shop Around” dhe “Tears of a Clown”.
Ai ka yje në Rock & Roll Hall of Fame dhe Songwriters Hall of Fame, dhe pretendon se ka kontribuar në më shumë se 4,000 këngë gjatë karrierës së tij.