Këngëtari Smokey Robinson ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij dhe bashkëshortes së tij, Frances Robinson, për sulm seksual, duke i cilësuar ato si “të ndyra” dhe “të pavërteta”, ka raportuar AvClub.
Përmes avokatit të tij, Christopher Frost, ai ka thënë se padia e ngritur ndaj tij është përpjekje për shantazh ndaj "një ikone 85-vjeçare të muzikës amerikane".
Të hënën, katër gra të identifikuara si “Jane Doe” dorëzuan një padi në të cilën pretendojnë se kanë qenë viktima të përdhunimit, krimeve seksuale, dhunës me bazë gjinore, ngacmimeve në vendin e punës dhe mospagesës së pagës minimale. Ato kanë punuar si pastruese në shtëpinë e Robinsonëve midis viteve 2007 dhe 2024.
Sipas padisë, edhe pse Smokey është figura qendrore, bashkëshortja e tij Frances është përfshirë si bashkëpërgjegjëse pasi “kishte dijeni për ngjarjet dhe nuk mori masa për t'i mbrojtur punonjëset”.
Në një deklaratë për The Hollywood Reporter, avokati Frost reagoi ashpër duke thënë se “provat do të tregojnë se kjo është thjesht një mënyrë e shëmtuar për të nxjerrë para nga një ikonë 85-vjeçare e Amerikës, plot 50 milionë dollar”, ka thënë ai.
Frost e përshkroi konferencën për shtyp të organizuar nga avokatët e paditëseve si një “teatër absurd” që synon të manipulojë publikun.
“Kemi parë teatrin e çuditshëm të konferencës, ku u artikuluan akuza të ndyra dhe të pavërteta ndaj z. dhe znj. Robinson, me qëllimin për të krijuar një cirk mediatik”, u shpreh ai.
Frost ka shtuar se do të paraqesë një kërkesë për hedhjen poshtë të padisë dhe nënvizoi se “ka shumë elemente të kësaj padie që sfidojnë çdo logjikë”.
Ndërkohë, sipas The New York Times, Robinson vazhdon të jetë aktiv në muzikë dhe aktualisht ndodhet në një turne. Ai është planifikuar të performojë të premten në një kazino në Biloxi, Mississippi. Gazeta nënvizon gjithashtu se artisti është përballur më herët me disa procese gjyqësore, por ato kanë qenë kryesisht për çështje si pagesa të autorësisë dhe të drejtat autoriale për disa këngë.