Policia e Los Angelesit ka konfirmuar se ka hapur hetim penal ndaj këngëtarit legjendar të Motown-it, Smokey Robinson, pas akuzave për përdhunim dhe sulm seksual.
Në një deklaratë zyrtare, Policia ka njoftuar se Zyra për viktimat është “duke hetuar në mënyrë aktive akuzat penale ndaj Robinson”, ka raportuar agjencia e lajmeve Associated Press.
Javën e kaluar, katër gra që kishin punuar si mirëmbajtëse në shtëpinë e artistit, paditën Robinsonin në Gjykatën e Lartë të Los Angelesit, duke e akuzuar se i kishte përdhunuar dhe ngacmuar seksualisht në mënyrë të përsëritur, në disa raste për vite me radhë.
Me padi janë kërkuar të paktën 50 milionë dollarë dëmshpërblim për ngjarjet e pretenduara, që sipas grave kanë ndodhur mes viteve 2007 dhe 2024.
Avokati i Robinsonit, Christopher Frost, i hodhi poshtë akuzat, duke i quajtur të pabaza.
“I vetmi motiv i kësaj padie është lakmia e pastër. Jemi të bindur se do të vërtetohet që z. Robinson nuk ka bërë asgjë të keqe dhe se kjo është një përpjekje e dëshpëruar për të ndikuar opinionin publik dhe për të kthyer këtë rast në një spektakël mediatik”, ka thënë Frost.
Avokatët e katër grave, John Harris dhe Herbert Hayden, u shprehën se janë të kënaqur që autoritetet po e trajtojnë çështjen me seriozitet.
“Klientet tona do të bashkëpunojnë plotësisht me hetimin në vazhdim të Departamentit të policisë së Los Angelesit, për të kërkuar drejtësi për veten dhe për të tjerët që mund të jenë abuzuar në mënyrë të ngjashme nga ai”, thanë ata në një deklaratë.
Sipas policisë hetimi ndodhet ende në fazën fillestare dhe nuk janë dhënë detaje të tjera.
Avokati i Robinson-it ka deklaruar më parë se akuzat “sfidojnë logjikën” dhe janë të mbushura me kontradikta.
Gratë akuzuese, të cilave nuk u janë bërë publik emrat, thonë se Robinson i sulmonte seksualisht kur ndodhej vetëm me to në shtëpinë e tij në Los Angeles. Njëra prej tyre pretendon se ka punuar për këngëtarin nga viti 2012 deri në vitin 2024 dhe është sulmuar të paktën 20 herë. Një tjetër ka thënë se ka qenë e punësuar nga viti 2014 deri në 2020 dhe ka përjetuar të paktën 23 raste të abuzimit seksual.
Avokati Harris e quajti Robinsonin një “përdhunues seriak dhe të sëmurë” që “duhet ndalur menjëherë”.
Në një konferencë për shtyp më 6 maj, kur u pyet nëse gratë kishin folur me policinë përpara se të ngrinin padinë, avokati Hayden ka thënë jo, por ka shtuar se akuzat ishin aq serioze sa meritonin vëmendjen e ligjit.
Të gjitha gratë akuzuese deklaruan se e kishin lënë punën për shkak të sulmeve dhe se kishin frikë të dilnin publikisht për shkak të frikës nga hakmarrja, turpi dhe ndikimi i mundshëm në statusin e tyre të emigrimit.
Smokey Robinson është një nga figurat më të njohura të muzikës Motown, i njohur për hitet si "Tears of a Clown" dhe "The Tracks of My Tears", si dhe për kontributin në këngë ikonike si "My Girl" e grupit The Temptations. Ai është pjesë e yjeve të Rock & Roll Hall of Fame dhe Songwriters Hall of Fame.