Fustani të cilin këngëtarja e ndjerë, Amy Winehouse, e kishte veshur në koncertin e saj të fundit, është shitur në një ankand për 243 mijë dollarë.
Fustani i krijuar nga disenjatorja Naomi Perry ishte pjesë e artikujve të shitur në shtëpinë e ankandeve “Julien’s”, me ç’rast 4 milionë dollarë nga paratë e fituara do të dhurohen për, “Amy Winehouse Foundation”, një fondacion ky i krijuar nga familja e këngëtares së ndjerë me qëllim t’i ndihmojë të rinjtë të cilët kanë probleme me varësinë nga drogat dhe alkooli.
Winehouse e kishte veshur fustanin i cili u shit 16-fish më shtrenjtë se që kishte kushtuar, në koncertin e saj të fundit në Beograd. Një muaj më vonë ajo vdiq nga mbidoza me drogë dhe alkool. Ajo ishte vetëm 27-vjeçare.
Naomi Perry e cila ishte mike e ngushtë e këngëtares së ndjerë, ka treguar se çfarë domethënie ka ky fustan për të personalisht.
“Ndjej trishtim të madh kur e shikoj këtë fustan. Ai ishte menduar ta shënonte fillimin e diçkaje të re dhe ecjes përpara. Amy po ndihej shumë mirë atëkohë dhe lajmi i vdekjes së saj na tronditi të gjithëve”, citohet të ketë thënë disenjatorja për gazetën “New York Post”.
Në mesin e artikujve të shitur në ankandin e organizuar nga “Julien’s”, që gjendet në Los Angeles, ishte edhe një çantë e krijuar me porosi nga marka e njohur e modës, “Moschino”, të cilën Amy Winehouse e kishte përdorur në ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve “Brit Awards” në vitin 2007. Çanta në formë të zemrës u shit për 204.800 dollarë, 13-fish më shumë se kostoja e saj.
Disa nga artikujt e shitur në ankand do të shfaqen në ekspozitën, “Amy: Beyond the Stage”, në Muzeun e Dizajnit në Londër më 26 nëntor, përpara se t’u dorëzohen përfundimisht pronarëve të tyre të rinj.
{gallery}