Showbiz

Sezoni i fundit i "Luciferit" do t’i ketë 10 episode

Seria e zhanrit dramë-fantazi-kriminalistik “Lucifer” ka fituar shumë fansa. Pasi që rrjeti amë Fox e anuloi pas tre sezonesh për shkak të shikueshmërisë së dobët, fansat u entuziazmuan kur atë e mori Netflix.

Sezonin e katërt e kemi pritur pothuajse një vit pas përfundimit të sezonit të tretë, dhe atë Netflixi e publikoi më 8 maj të këtij viti. Menjëherë lindi pyetja: çfarë tutje? Në fillim të këtij muaji u njoftua se sezoni i pestë do të ishte i fundit, por ishte e diskutueshme se sa episode do t’i kishte ky sezon. Përgjigja mbërriti edhe në këtë pyetje - një nga showrunnerët Ildy Modrovich në Twitterin e tij njoftoi se do të jenë 10 episode dhe premtoi se çdo minutë do t’ia vlejë. Me sezonin e pestë seria Lucifer do t’i ketë gjithsej 77 episode, shkruan KOHA Ditore.

Image

Në rolin kryesor të Luciferit është Tom Ellis të cilin kritikët rregullisht e lavdërojnë për performancë, Lauren German e luan detektiven Chloe Decker, ndërsa në rolin e Evës luan Inbar Lavi. Në rolet e tjera paraqiten Kevin Alejandro, D.B. Woodside, Lesley-Ann Brandt, Aimee Garcia dhe Rachael Harris.

Sezoni i pestë i Lucifer arrin vitin e ardhshëm (skenaristët filluan të punojnë në skenar qysh muajin e ardhshëm), ndërsa deri atëherë mund t’i shikoni të katër sezonet në Netflix.