Bateristi i bendit “Cream”, Ginger Baker po lufton për jetën e tij në spital, sipas familjes së tij.
Përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Twitter, të mërkurën fansave u është kërkuar të luten për legjendën e rockut, ndërkohë që ata që janë më të afërm me të zbulojnë se ai është "shumë i sëmurë".
Lajmi i pikëllueshëm vjen vetëm disa javë pasi që Baker e festoi ditëlindjen e 80-të.
Në një deklaratë në Twitter thuhet: “Familja Baker me pikëllim njofton se Ginger është i sëmurë rëndë në spital. Ju lutemi lutuni për të sonte".
Nuk dihet se pse Ginger është në spital, por ai ka vite që ka probleme shëndetësore - në vitin 2013 ai njoftoi se ishte diagnostikuar me sëmundje pulmonare obstruktive kronike të shkaktuar nga pirja e duhanit, shkruan KOHA Ditore. Ai gjithashtu ka pasur probleme me dhimbje kronike në shpinë, si rezultat i osteoartritit degjenerativ, ndërsa në vitin 2016 ai iu nënshtrua një operacioni në zemër të hapur.
Baker e bashkëthemeloi bendin “Cream” në vitin 1966, së bashku me Eric Clapton dhe basistin Jack Bruce. Ai më vonë iu bashkua Claptonit në Blind Faith me Steve Winwood.
Bateristi më pas e themeloi bendin Air Force para se ta fillonte një karrierë solo.
Baker gjithashtu ka punuar me muzikantin afrikan Fela Kuti në një seri projektesh.
Jeta e tij u përshkrua edhe në dokumentarin “Beware Of Mr. Baker”, i cili u publikua në vitin 2013.
Publikoi gjithashtu edhe biografinë “Ginger Baker: Hellraiser”.