Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Së shpejti edhe një bashkëpunim mes yjeve Ben Affleck dhe Matt Damon

Yjet e kinematografisë, Ben Affleck dhe Matt Damon, po ribashkohen. Kësaj radhe për ekranizimin e historisë së vërtetë të ish-zyrtarit të kompanisë “Nike”, Sonny Vaccarro, në filmin e ardhshëm që pritet të realizohet nga “Amazon Studios” dhe “Skydance Sports”, kompani këto të cilat janë në prag të finalizimit të marrëveshjes për bashkëpunim, raporton “The Hollywood Reporter”.

Affleck do të vijë në rolin e regjisorit, skenaristit, producentit dhe aktorit të këtij projekti. Edhe Damon do të angazhohet si skenarist, producent dhe aktor i filmit.

Matt Damon do ta luajë rolin e Vaccarros, kurse Affleck e portretizon bashkëthemeluesin e kompanisë “Nike”, Phil Knight. Filmi fokusohet në përpjekjen e gjatë të kompanisë së famshme sportive, për të nënshkruar kontratë me superyllin e basketbollit, Michael Jordan, kah mesi i viteve ’80. Një marrëveshje e tillë dukej e pamundur në atë kohë, por falë përpjekjeve të vazhdueshme të Vaccarros i cili mundohet ta arrijë qëllimin e tij përmes prindërve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të Jordanit, ajo finalizohet dhe kështu bëhet marrëveshja më domethënëse midis një marke atletike dhe një sportisti.

Do të jetë hera e parë që Ben Affleck do ta bëjë regjinë e një filmi ku miku i tij e luan rolin protagonist. Në të kaluarën, aktorët fituan çmim “Oscar” për skenarin e filmit “Good Will Hunting. Ata bashkëpunuan edhe në filmin e vitit të kaluar, “The Last Duel”, regjinë e së cilit e ka bërë Ridley Scott.