Showbiz

Matt dhe Ben kanë ndarë një llogari bankare për të kursyer të holla për audicione

Aktorët Matt Damon dhe Ben Affleck, që sot shquhen si yje të Hollywoodit, dikur e ndanin një llogari bankare ku kursenin të holla të cilat më pas i shfrytëzonin për të ndjekur audicione. Ata janë miq të mirë nga mosha tetë vjeçare kur u takuan në shkollë, dhe së bashku e bënë të pamundurën për të depërtuar në industrinë e filmit.

Ndërkaq, në një intervistë të fundit, Damon zbuloi se ata e ndanin një llogari bankare për t’u siguruar që kishin para të mjaftueshme për ta mbështetur njëri-tjetrin gjatë kohës kur bënin audicione për të fituar role filmike.

“Ishte e pazakonshme ta ndash një llogari bankare me mikun tënd, por na nevojiteshin të hollat për audicione. Përderisa njëri nga ne kishte para, e dinim se nuk do të mbeteshim keq për asgjë”, deklaroi aktori.

Damon e siguroi një rol të vogël në filmin e vitit 1993, “Geronimo: An American Legend”, dhe aktori tregoi se financat e siguruara nga ky projekt e mbajtën në funksion fondin e tyre të audicioneve për një kohë të gjatë.

“Më kujtohet që pas filmit ‘Geronimo’, llogaria jonë bankare u pasurua me 35 mijë dollarë. Këto të holla na mjaftuan për një vit të plotë”.

Tutje, aktori shpjegoi se ata kishin rregulla kur bëhej fjalë për shfrytëzimin e të hollave të kursyera.

“Përveç pagesave për audicione, ne kishim të drejtë t’i tërhiqnim deri në 10 dollarë për nevoja tjera personale që kryesisht lidheshin me pjesën argëtuese”, tha Damon.

“Mendoj se ky qëndrim na ndihmoi vërtet në mënyra që nuk mund ta parashikonim. Unë dhe Matt e dinim që jemi së bashku në këtë rrugëtim dhe gjithmonë dëshironim që njëri nga ne ta fitonte rolin për të cilin bënim audicione”, shtoi tutje Affleck.

Dyshja eventualisht arriti të depërtojë në industrinë e filmit, pasi e shkruan skenarin e filmit “Good Will Hunting”, i cili flet për një gjeni të matematikës. Projekti i vitit 1997 arriti t’i fitojë nëntë nominime për “Oscar”, duke triumfuar në kategoritë “Skenari më i mirë”, “Aktori më i mirë”, çmim ky i cili shkoi për Matt Damonin dhe “Aktori më i mirë në rol dytësor”, i fituar nga kolegu i tyre në film, Robin Williams.

Së fundmi, aktorët i bashkuan forcat për filmin e ardhshëm, “Air”. Ai vjen i realizuar me regji të Ben Affleckut. Filmi fokusohet në partneritetin mes basketbollistit Michael Jordan dhe kompanisë “Nike”, në krijimin e brendit të atleteve “Air Jordan”, që e revolucionarizoi botën e sportit.

Pjesë e kastës së aktorëve janë Ben Affleck, Matt Damon, Viola Davis, Jason Bateman, Chris Tucker dhe Chris Messina.

“Air” do të filloj së shfaquri nëpër kinema nga 5 prilli, duke u përcjellë me një lansim në platformën digjitale Amazon.