Aktorja e njohur Scarlett Johansson është shtatzënë me fëmijën e saj të parë me bashkëshortin Colin Jost. Për yllin 36-vjeçar të filmit kjo është shtatzënësia e dytë, ka raportuar revista “Page Six”.
Sipas burimeve që kanë folur për revistën, aktorja po e mbante shumë të fshehtë shtatzëninë. Ajo nuk kishte marrë pjesë në disa organizime për filmin e saj të ri “Black Widow”.
Pavarësisht se pritej se do të ndihmonte në promovimin e filmit, burimi ka shpjeguar pse ajo nuk ka qenë e pranishme në organizimet rreth filmit.
“Nuk ka qenë në shumë intervista apo organizime për ta promovuar filmin ‘Black Widow’, që është befasi, sepse është një prej filmave më të bujshëm nga Marvel/Disney dhe ajo është edhe protagonistja kryesore edhe producentja ekzekutive”, ka bërë të ditur burimi.
Johansson ka pasur disa paraqitje promovuese në mënyrë virtuale, përfshirë deklarimin e saj për emisionin “The Tonight Show With Jimmy Fallon”, ku ka paraqitur vetëm pjesën mbi supe.
Ajo është vërejtur se ka munguar në disa prej organizimeve që lidheshin me “Black Widow” gjatë javëve të fundit, përfshirë edhe organizimin e fansave për premierën botërore në New York javën e shkuar, ku ka marrë pjesë vetëm kolegu i saj David Harbour.
Në disa fotografi të publikuara nga Hamptons, Johanssoni dhe Josti janë shfaqur së bashku. Një burim nga Hamptons ka shtuar: “Scarlett zakonisht e kalon verën në Amagansett dhe Montauk dhe shpeshherë mund ta shihni duke i shëtitur qentë rreth plazhi apo duke pirë kafe. Por, duket se këtë verë ajo nuk po del aq shumë”.
Johansson tashmë ka një fëmijë – vajzën 6-vjeçare Rose Dorothy Dauriac – me ish-bashkëshortin e saj gazetar nga Franca, Romain Dauriac, me të cilin ishte e martuar nga viti 2014 deri më 2017.
Johansson dhe Jost kishin filluar lidhjen në pranverën e vitit 2017. Ata ishin parë duke u puthur në maj dhe më vonë dolën së bashku publikisht për herë të parë, në dhjetorin e po atij viti. Ai i kishte propozuar martesë në maj, me një unazë diamanti 11-karatësh, që kap vlerën prej 450 mijë dollarësh.
“Black Widow” – me regji të Cate Shortlandit – u publikua të mërkurën në Mbretërinë e Bashkuar, kurse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të lansohet dy ditë më vonë, më 9 korrik.