Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Sarah Burton lë brendin “Alexander McQueen”

Disenjatorja e mirënjohur Sarah Burton po e lë punën tek brendi i famshëm britanik “Alexander McQueen”

Disenjatorja e famshme e modës, Sarah Burton, e cila dizajnoi shumë veshje për princeshën e Uellsit, Kate Middleton, duke përfshirë edhe fustanin e saj të nusërisë, po e lë brendin britanik për të cilin ka punuar deri më tani, “Alexander McQueen”.

Ajo punoi për dy dekada si drejtoreshë kreative e brendit të mirënjohur luksoz. Sarah Burton kishte punuar në këtë shtëpi të modës që nga viti 2010 dhe paraprakisht kishte punuar me themeluesin e brendit, Lee Alexander McQueen për 14 vjet.

Image

Burton u bë drejtoreshë kreative e brendit pas vetëvrasjes së Mcqueen në moshën 40-vjeçare.

Konglomerati i mallrave luksoze “Kering”, pjesë e të cilit janë brendet luksoze “Gucci” dhe “Saint Laurent” e gjithashtu edhe “Alexander McQueen”, konfirmoi të hënën largimin e Burtonit.

Koleksioni i fundit që Burton do ta bëjë për brendin do të jetë për sezonin pranverë/verë gjatë këtij muaji në Paris.

Liderët e konglomeratit e kanë vlerësuar lart punën e Burton.

“Ajo mbajti dhe vazhdoi trashëgiminë e Lees, vëmendjen ndaj detajeve dhe vizionit unik, ndërsa shtoi prekjen e saj personale, shumë kreative”, ka thënë François-Henri Pinault, kryetar dhe shef ekzekutiv i “Kering”, në një deklaratë për media.

Shtëpia e famshme e modës nuk dha detaje se kush do të vijë në vend të Burtonit.

Përgatiti: Vita Abrashi-Kajtazi

Artikuj të ngjashëm