Disejnjatorja australiane e modës, Katie Perry, ka fituar rastin në Gjykatën e Lartë në një betejë ligjore shumëvjeçare për markën tregtare kundër yllit të muzikës pop, Katy Perry, ka raportuar BBC.
Në vendimin e shpallur të mërkurën, Gjykata e Lartë e Australisë ka vendosur se brendi i veshjeve i disenjatores nuk e ka dëmtuar reputacionin e këngëtares amerikane dhe as nuk ka krijuar konfuzion tek publiku.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDisenjatorja, e cila në vitin 2015 ndryshoi mbiemrin në Taylor, kishte fituar një proces gjyqësor në vitin 2023 pasi akuzoi këngëtaren për shkelje të markës tregtare gjatë turneut të saj në Australi në vitin 2014, kur shiti produkte si xhaketa, bluza dhe veshje të tjera me emrin e saj. Por ky vendim u rrëzua në vitin 2024 dhe brendi i disenjatores u anulua.
Tani, vendimi i ri i gjykatës e rikthen markën tregtare të disenjarores në regjistër.
Gjykata ka arritur në përfundimin se fama e këngëtares Katy Perry në Australi është aq e madhe, sa që një person i zakonshëm nuk do t’i ngatërronte rrobat e brendit “Katie Perry” me këngëtaren.
“Ky ka qenë një rrugëtim shumë i gjatë dhe i vështirë. Por sot konfirmohet ajo që gjithmonë kam besuar, se markat tregtare duhet të mbrojnë bizneset e të gjitha madhësive”, ka thënë Taylor në një deklaratë pas vendimit.
Nga ana tjetër, një përfaqësues i Katy Perryt ka thënë se këngëtarja “asnjëherë nuk ka kërkuar të mbyllë biznesin e zonjës Taylor apo ta ndalojë të shesë rroba me emrin 'KATIE PERRY'”.
Megjithatë, disa çështje të ngritura nga pala e këngëtares janë kthyer përsëri për shqyrtim në Gjykatën Federale të Australisë.
Historia e konfliktit pati nisur në vitin 2007, kur disenjatorja e regjistroi biznesin e saj të modës me emrin “Katie Perry” dhe aplikoi për markë tregtare. Nga viti 2008 ajo filloi të shiste rroba në tregje lokale, përmes faqes së saj në internet dhe në rrjete sociale.
Sipas dokumenteve të gjykatës, ajo ka thënë se nuk kishte dëgjuar për këngëtaren kur nisi biznesin.
Ajo ka treguar se për herë të parë kishte dëgjuar për Katy Perryn në mesin e vitit 2008, kur në radio u transmetua kënga e saj e famshme “I Kissed a Girl”.
“Në atë kohë unë thjesht po zhvilloja një biznes mode me emrin me të cilin kam lindur”, ka thënë ajo.
Disenjatorja Taylor ka thënë se ky proces nuk ka qenë vetëm për një emër.
“Ky rast ka qenë për mbrojtjen e bizneseve të vogla në Australi, për të mbrojtur atë që është e drejtë dhe për të treguar se edhe zërat e vegjël kanë rëndësi”, ka thënë ajo.
Në vitet e fundit, Katy Perry ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes së mediave, përfshirë udhëtimin e saj në hapësirë me raketën e kompanisë “Blue Origin”, divorcin e saj të bujshëm nga aktori Orlando Bloom dhe lidhjen e saj të re me ish-kryeministrin kanadez Justin Trudeau.