Showbiz

Sa është pasuria e këngëtares me famë botërore, Bebe Rexha?

Si këngëtare dhe tekstshkruese me një numër të madh hitesh që e mbajnë emrin e saj, Bebe Rexha, ka arritur ta krijojë një pasuri goxha të majme.

Nga fillimi i karrierës e deri më sot, ylli i hitit “Say My Name” ka arritur që në llogarinë e saj bankare t’i arkëtojë më shumë se 5 milionë dollarë, bën të ditur portali “Celebrity Net Worth”.

Por, si i fiton Bebe Rexha të hollat?

Edhe pse këngëtarja me prejardhje shqiptare nënshkroi kontratë bashkëpunimi me studion incizuese, “Warner Bros”, në vitin 2013, ajo shumë shpejt filloi të bëjë emër në industri duke shkruar këngë për artistë të tjerë. Një prej hiteve më të suksesshme ishte bashkëpunimi mes Eminemit dhe Rihannas, “The Monster”, i cili debutoi në vendin e parë të toplistës së 100 këngëve më të mira “Billboard” si dhe i kryesoi toplistat e muzikës R&B dhe Hip-Hop. Disa prej hiteve tjera të shkruara nga Rexha janë, “Like a Champion”, e interpretuar nga Selena Gomez dhe “Glowing”, nga Nikki Williams.

Në vitin 2014, ishte koha e Bebes të shndritë në muzikë teksa e lansoi këngën debutuese, “I Can’t Stop Drinking About You”, dhe dy hitet pasuese, “I’m Gonna Show You Crazy” dhe “Gone”. Por, suksesin më të madh e shënoi me bashkëpunimin e saj me artistin G-Eazy, “Me, Myself and I”.

Në vitin 2017, albumi i këngëtares me titull, “All Your Fault: Pt. 2”, e prodhoi megahitin “Meant to Be” në të cilin Bebe interpretoi krahas dyshes së njohur të muzikës country, “Florida Georgia Line”. Kjo këngë arriti të pozicionohet në vendin e dytë të toplistës “Billboard” si dhe theu rekord duke i kaluar 50 javë në vendin e parë të toplistës “U.S. Hot Country Songs”. Gjithashtu, “Meant to Be” i numëron më shumë se 1 miliard klikime.

Rexha ka gjetur sukses edhe duke performuar në kuadër të turneve muzikorë, pasi kjo është një mënyrë e mirë dhe e sigurt për artistët që të arkëtojnë shuma të mëdha të hollash. Ajo e realizoi turneun e saj “All Your Fault” në vitin 2017, dhe ndër vite ka qenë shumë e kërkuar nga artistët e tjerë të famshëm për t’i hapur koncertet e tyre. Në vitin 2018, Bebe e hapi turneun masiv botërorë “24K Magic Tour” të Bruno Marsit, dhe e bëri të njëjtën gjë edhe për Katy Perryn dhe turneun e saj “Witness: The Tour”. Hera e fundit që Rexha performoi në një turne ishte në atë të vitit 2019, “Happiness Begins”, të realizuar nga grupi i njohur i muzikës, “Jonas Brothers”.

Bebe Rexha shquhet për talentin e saj në shkrimin e këngëve, përkushtimin ndaj punës, sjelljet profesionale dhe pozitivitetin e saj në çdo projekt, si dhe përkrahjen që ua jep artistëve të rinj në skenë.