Shqiptarja me famë botërore, Bebe Rexha, ka sulmuar industrinë e muzikës përmes disa postimeve që ka bërë në rrjetin social “X”.
34 vjeçja u bë e famshme pasi shkroi këngë për emra të famshëm si Eminem, Selena Gomez, Tyler Hubbard, Nick Jonas e shumë të tjerë. Ajo ka lansuar tri albume si dhe disa këngë ‘single’, shkruan Fox News.
Këngëtarja e hitit “Say My Name”, e cila që nga fillimi i karrierës ka qenë në bashkëpunim me shtëpinë diskografike “Warner Records”, pretendon se mund të shkatërrojë një copë të madhe të industrisë së muzikës.
“Mund ta shkatërroj një copë të madhe të kësaj industrie. Jam e frustruar. Kam qenë e minuar. Kam heshtur për një kohë të gjatë. Nuk i kam parë shenjat ani se njerëzit më kanë paralajmëruar vazhdimisht dhe kanë qenë kaq të dukshme. Edhe kur kam folur jam detyruar të hesht dhe jam ndëshkuar nga kjo industri. Gjërat duhet të ndryshojnë ose do të tregoj të gjitha të vërtetat. Të mirat, të këqijat dhe të shëmtuarat”, ka shkruar Rexha.
Më pas ajo u është përgjigjur disa komentuesve, njëri prej të cilëve e pyeti se ”çfarë ka ndodhur prapë?”.
“Prapë? Ti se ke dëgjuar as 5-përqindëshin. Nuk e ke idenë”, i është përgjigjur këngëtarja shqiptare.
Një tjetër adhurues ka sugjeruar se “askush nuk duhet të falet për faktin që ta hoqën emrin nga kënga ‘Hey Mama’”.
“Dashuria ime. Kjo? Krahasuar me shumë gjëra të tjera që ti nuk i di? Është lojë fëmijësh”, i është përgjigjur këngëtarja.
Kënga e vitit 2015 e artistit David Guetta, “Hey Mama”, ishte bashkëshkruar nga Rexha, Guetta dhe disa njerëz të tjerë. Ndërkohë që për shkrimin e tekstit i është përmendur emri, ajo nuk është përmendur për vokalin në këngë, në të cilën dëgjohen duke kënduar artistë si Nicki Minaj e Afrojack.
“Këto fjalë nuk po më vijnë vetëm nga zemërimi. Është pikëllimi. Jam ulur në dhomën e hotelit në Londër duke qarë shumë. Jam ndjerë e pashpresë që një kohë të gjatë. Kam ecur shumë nëpër këtë qytet dhe jam takuar me adhurues dhe ata nxitën diçka brenda meje”, ka shkruar tutje ylli.
Një tjetër ndjekës i ka sugjeruar se Rexha po kërkonte mbështetjen për këngën e saj të re “I’m The Drama”, gjë të cilën ajo e mohoi duke thënë: “Marketing? S’kam buxhet për këtë. Më ka ardhur në majë të hundës”.
Ajo nuk ka treguar se nga i erdhi pikëllimi ndërkohë që i siguroi adhuruesit se e vlerëson mbështetjen e tyre.
LEXO EDHE: