Pas tri vjetësh lidhje, çifti i njohur i muzikës latine, Rosalía dhe Rauw Alejandro, i kanë dhënë fund fejesës dhe kanë vendosur t’i ndajnë rrugët.
Këngëtarët e bënë të ditur lajmin se janë fejuar në mars të këtij viti, por siç duket lidhja mes tyre nuk po funksionon dhe kështu kanë vendosur të ndahen. Lajmi është konfirmuar nga revista “People”.
Disa burime kanë raportuar se pavarësisht se Rosalía dhe Rauw kanë shumë dashuri dhe respekt për njëri-tjetrin, së bashku ata e kanë marrë vendimin për ta prishur fejesën.
Këngëtarja spanjolle dhe këngëtari nga Puerto Rico, e bënë publike lidhjen në gusht të vitit 2021 përmes rrjeteve sociale. Megjithëse fansat kishin kohë që spekulonin për një romancë mes tyre.
Lajmin e fejesës ata e zbuluan në një formë shumë të bukur, përmes videoklipit të këngës së tyre të përbashkët, “Beso”. Po ashtu, në mars të këtij viti ata folën për raportin e tyre të fuqishëm në një intervistë për revistën “Billboard”, ku ndër të tjera zbuluan se çfarë kanë mësuar nga njëri-tjetri dhe si i aplikojnë këto këshilla në punë.
EdheRosalia shquhet si një talent i rrallë në muzikë dhe konsiderohet superylli i radhës global. Pothuajse çdo këngë e saj, qoftë në gjuhën angleze apo spanjolle, është shndërruar në hit të menjëhershëm dhe ylli latin vazhdon të jetë një prej këngëtareve më të kërkuara për bashkëpunime nga artistë të ndryshëm. Ajo gjithashtu ofron performanca të mrekullueshme në koncertet e saj, përfshirë këtu vallëzimet moderne të kombinuara me ato tradicionale të muzikës flamengo.
Albumi i saj i fundit, “Motomami”, u lansua në mars të vitit të kaluar dhe deri më tani e ka gëzuar një sukses të jashtëzakonshëm në tregun muzikor. Shumica e këngëve të albumit, Rosalia tashmë i ka prezantuar me videoklipe si, “Saoko”, “Hentai”, “Motomami”, “La Fama”, “Chicken Teriyaki”, “Diablo” dhe “Candy”.