Showbiz

Radikal dhe magjepsës: A është “Lux” nga Rosalia albumi më i mirë i vitit?

Rosalía

Rosalía

Foto: Associated Press

Në një karrierë të shkurtër, por të fuqishme, Rosalia nuk ka njohur asnjë kufi që nuk mund ta thyejë. E lindur në Barcelonë, këngëtarja spanjolle ka kaluar shtatë vjetët e fundit duke sjellë risi me një shpejtësi që i bën bashkëkohësit e saj të duken të ngadaltë.

Albumi i saj që e bëri të famshme, “El Mal Querer” (që u lansua në vitin 2018), i realizuar si pjesë e diplomës së saj në muzikë, bashkoi traditat folklorike të flamengos me ritmet moderne të R&B-së. Ndërsa pasuesi i tij, “Motomami” (lansuar në vitin 2022), solli një shpërthim të guximshëm në pop, duke përzier zhanre latine si cumbia dhe reggaeton me hip-hop elektronik dhe meloditë e saj të veçanta.

Me tema për famën, seksin dhe vetëzbulimin, “Motomami” debutoi në krye të listës globale të platformën transmetuese “Spotify”, fitoi çmimin “Albumi i Vitit” në spektaklin “Latin Grammy” dhe u vlerësua si albumi më i mirë i vitit 2022 në “Metacritic”, madje duke lënë pas edhe albumin “Renaissance” të këngëtares së mirënjohur Beyoncé.

Pas përfundimit të turneut të suksesshëm tre vjet më parë, fansat prisnin me padurim drejtimin e radhës të artistes. Përgjigjja erdhi më në fund: “Lux”, albumi i saj i katërt, doli të premten, më 7 nëntor 2025, dhe po cilësohet si një ndër projektet më të guximshme të vitit, ka shkruar “BBC”.

Në vend se të ndjekë gjurmët e albumeve të mëparshme, “Lux” ndjek një rrugë krejt të re. Ai shfrytëzon formimin klasik të Rosalias në Kolegjin e Muzikës në Katalonjë, duke u regjistruar me Orkestrën Simfonike të Londrës dhe me aranzhime nga fituesja e çmimit “Pulitzer”, Caroline Shaw. Rezultati? Një vepër operistike radikale dhe rebele që “tingëllon si asgjë tjetër në botën e pop-it”.

Kënga kryesore “Berghain” huazon elemente nga vepra klasike “Dies Irae” e kompozitorit të njohur Giuseppe Verdi, me violinat që “tingëllojnë si të prera me thika”, ndërsa një kor gjerman këndon për frikën dhe zemërimin, derisa këngëtarja e mirënjohur, Björk, shfaqet me vargun: “The only way to save us is through divine intervention” (E vetmja mënyrë për të na shpëtuar është përmes ndërhyrjes hyjnore).

Në një tjetër perlë të albumit, “Reliquia”, një kuartet dhome shndërrohet në modele elektronike të pazakonta, ndërsa Rosalia pranon dobësinë e saj për të dashur fort.

“Take a piece of me, keep it for when I'm gone / I'll be your treasure, I am your relic.”
(Merr një copë nga unë, ruaje kur të mos jem më / Do të jem thesari yt, unë jam relika jote).

Këngëtarja Madonna, e njohur për shkeljen e kufijve artistikë, e ka shpallur veten fanse të albumit, duke i shkruar në Instagram se nuk po mund të ndalet duke e dëgjuar.

“S’po mund të ndalem së dëgjuari! Je vizionare e vërtetë!!!”, ka shkruar mbretëresha e popit.

“Emotional terrorist”

Albumi, që është realizuar gjatë tre vjetëve, reflekton periudhën më të trazuar të jetës personale dhe profesionale të këngëtares 33-vjeçare. Gjatë kësaj kohe, ajo u nda nga i fejuari i saj, këngëtari puertorikan Rauw Alejandro, ndryshoi menaxherin duke u bashkuar me Jonathan Dickins (menaxherin e këngëtares së njohur Adele), dhe mori rolin e parë të madh në serialin “Euphoria”.

Sipas “BBC”-së, një ndër këngët më prekëse është “La Perla”, ku Rosalia i drejtohet ish-partnerit me fjalët: “emotional terrorist” (terrorist emocional)  dhe “The Olympic gold medallist of sons of whores” (ai që mban medaljen olimpike si bir kurve), vargje të ashpra, por të shoqëruara nga një melodi e lehtë valsi, që tregojnë se ajo e ka kthyer dhimbjen në art.

Kënga “Focu ’Ranni”, që gjendet vetëm në versionet CD dhe vinyl, kombinon një melodi të trishtuar me zëra të shtrembëruar elektronikë dhe tregon historinë e një nuseje që anulon martesën në momentin e fundit.

Në një intervistë për “Le Monde”, Rosalia ka thënë se për këngën është frymëzuar nga Shën Rosalia e Palermos, e cila “braktisi altarin për t’iu përkushtuar Zotit”.

“E gjeta këtë rastësi të çmendur… por nuk dua të flas më tej, është një histori e gjatë”, ka thënë ajo.

Kënga “Sauvignon Blanc” është një baladë e butë ku ajo premton me humor se do ta dëgjojë Zotin.

“I will listen to my God / I will throw away my Jimmy Choos” (Do ta dëgjoj Zotin tim / Do t’i hedh këpucët e mia Jimmy Choo), ndërsa “Divinize” shpërthen me energji hyjnore: “Bruise me up, I’ll eat all of my pride / I know that I was made to divinize”. (Më bëj të gjithën me hematoma. Do ta gëlltis të gjithë krenarinë që kam. E di se jam bërë për të “hyjnuar”).

Por momentet më prekëse vijnë në fund. Kënga përmbyllëse “Magnolias” është një reflektim i qetë mbi vdekjen: “What I never did in my life, you'll do when I'm dead” (Atë që se kam bërë gjatë jetës, do ta bësh t'i kur të vdes).

Dhe “La Yagular”, sipas “BBC”-së, është një himn për lidhjen shpirtërore të njeriut me botën.

Kënga mbyllet me një incizim të artistes amerikane, Patti Smith, nga viti 1976, ku ajo thërret artistët që të thyejnë kufijtë. Një përmbyllje perfekte për frymën krijuese të Rosaliës.

Para publikimit të albumit, ajo i këshilloi fansat ta dëgjonin “Lux” me kufje, në errësirë, duke e quajtur atë “një antidot ndaj trendeve të TikTok-ut dhe videove virale”.

“Sa më shumë që jemi në epokën e dopaminës, aq më shumë dua të kundërtën. “E di që po kërkoj shumë, por kjo është ajo që dua”, ka thënë ajo për “The New York Times”.

Sipas “BBC”-së, kushdo që e ndjek këtë këshillë, do të shpërblehet me një përvojë të rrallë.

“Lux” është një album modern, i guximshëm, me elemente klasike, hip-hop dhe operë që ndërthuren me perfeksion. Rosalia këndon në 14 gjuhë, në katër lëvizje muzikore, të frymëzuara nga filozofia mistike e filozofes franceze të shekullit 20-të, Simone Weil.

Në fund, “BBC” shkruan gjithashtu se “Lux” është një album i madh në koncept, por i arritshëm në ndjesi, një dëshmi se Rosalia mbetet një nga artistet më origjinale dhe vizionare të kohës sonë.