Edhe pse janë bërë gjashtë dekada nga koncertet e para, grupi i mirënjohur “The Rolling Stones” nuk ka të ndalur. Vitin e ardhshëm, grupi legjendar do të ketë turneun e radhës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raporton “USA Today”.
Turneu do të fillojë më 28 prill në Houston të Texasit për të mbështetur fuqishëm albumin e ri, “Hackney Diamonds”.
Nuk ka kaluar shumë kohë që “The Rolling Stones” janë ngjitur në skenë. Ata performuan në shtator të vitit 2021 në turneun “No Filter”, të cilin u detyruan ta shtynin për 16 muaj për shkak të pandemisë COVID-19.
Për anëtarët e grupit të famshëm, Mick Jagger, Kieth Richards dhe Ronnie Wood albumi “Hacney Diamonds” është i pari që kanë lansuar pas vitit 2005. Po ashtu i pari pas vdekjes së bateristit të grupit Charles Watts, në vitin 2021.
Albumi debutoi në nr. 1 në klasifikimin e albumeve të Mbretërisë së Bashkuar dhe nr. 3 në tabelën e albumeve në “Billboard 200”, duke i bërë ata shumë të suksesshëm me albume. Grupi qëndron në top 10-she çdo dekadë që nga vitet 1960.
Grupi dha premierën e këngëve të albumit në një shfaqje private, vetëm me ftesë në klubin Racket në New York gjatë tetorit. Në këtë ngjarje interpretuan edhe disa këngë të reja duke u mbështetur në klasiket e tyre që përfshijnë “Shattered” dhe “Jumpin' Jack Flash” me energji rinore. Lady Gaga, e cila këndon në këngën e albumit “Sweet Sounds of Heaven” iu bashkua Jaggerit për një duet.