Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Roger Daltrey: LP-ja e re e “The Who”- albumi më i mirë që nga “Quadrophenia”

Roger Daltrey nuk i kurseu fjalët kur e shfaqi ngazëllimin e tij për LP-në e ardhshme të “The Who”. "Mendoj se e kemi bërë albumin tonë më të mirë që nga Quadrophenia," njoftoi këngëtari legjendar gjatë një sesioni pyetje-përgjigje të kohëve të fundit me adhuruesit.

Krahasimi i materialit të ri me albumin e famshëm të bendit nga viti 1973 është vërtetë një lëvdatë e madhe. Komenti gjithashtu paraqet një pikë kthese për frontmenin e bendit “The Who”, shkruan KOHA Ditore.

Më herët këtë vit, kitaristi dhe bashkëthemeluesi Pete Townshend zbuloi se nuk e kishte marrë asnjë përgjigje nga Daltrey pasi ia kishte dërguar këngëtarit 15 demot. "Vetëm heshtje nga Roger", tha Townshend. "Duhej ta përqeshja atë që të përgjigjej, dhe pastaj nuk ishte përgjigja që unë e doja. Ai vetëm llomotiste për një kohë dhe në fund unë vendosa t’i them: "Roger, nuk më intereson nëse të pëlqen vërtet kjo gjë, duhet ta këndosh. Do të të pëlqejë pas 10 vjetësh.'"

Edhe pasi ia kushtoi vëmendjen muzikës së re, Daltrey vetëm e ndjeu një lidhje me një pjesë të vogël të këngëve. "Kur i dëgjova këngët për herë të parë isha shumë skeptik pasi nuk mendova se mund ta bëja", shpjegoi këngëtari. "Mendova se Pete e kishte shkruar një solo album vërtetë të mrekullueshëm dhe i thashë atij, 'Pete, çfarë duhet të bësh për këtë? Publikoje si solo album, është i mrekullueshëm. "Por ai tha se donte që të ishte një album i The Who.

"Kështu i mora këngët dhe i dëgjova vazhdimisht, dhe pastaj i kisha disa ide. Pete më lejoi të kem pak liri në ndryshimin e disa gjërave, duke e ndryshuar gjallërinë e këngëve dhe gjëra të tjera të vogla. Dhe ai ma dha lirinë e plotë melodike. Dhe më duhet t'ju them se pasi isha shumë skeptik, tani jam tepër optimist".

"Mendoj se e kemi bërë albumin tonë më të mirë që nga Quadrophenia," vazhdoi ai. "Pete nuk e ka humbur ende, ai është ende një kompozitor i mrekullueshëm dhe ende e ka talentin".