Muzika e re e këngëtares me prejardhje kosovare dhe famë botërore, Rita Ora, ka për qëllim t’i inspirojë njerëzit në momentet kur gjërat janë në prag të shkatërrimit.
Pop ylli 31-vjeçar të premten e lansoi këngën e re me titull, “Follow Me”, të cilën e solli në bashkëpunim me DJ Sam Feldt, dhe kështu po e shënon rikthimin e saj në muzikë nga albumi i vitit 2018 “Phoenix”.
“Muzika e zhanrit dance e ka pasur gjithmonë një vend të veçantë në zemrën time, prandaj mundësia për të punuar me Samin në realizimin e këngës ‘Follow Me’ ishte vërtetë fantastike. Ai është një legjendë dhe ka qenë një nderë për mua të punojë me të në këtë projekt muzikor. Kënga e re shërben për të na rikujtuar që ta rrethojmë veten me njerëz që na ndihmojnë të jemi mirë dhe na qëndrojnë gjithmonë afër, veçanërisht në kohët kur ndiejmë se gjërat janë në prag të shkatërrimit. Mezi prej që adhuruesit ta shohin videoklipin e bukur që ia kemi realizuar kësaj kënge”, ka deklaruar Ora.
Ylli i hitit “Anywhere” është ftuar nga artisti i njohur holandez, Sam Feldt, të bëhet pjesë e këngës “Follow Me” dhe në një intervistë të fundit, ai pati vetëm fjalë të mira për këngëtaren dhe tekstshkruesen e famshme të cilën edhe e quajti një performuese natyrale.
“Puna me Ritën në këtë projekt ka qenë një ëndërr e shndërruar në realitet për mua. Ka kohë të gjatë që jam adhurues i madh i zërit të saj, dhe thjeshtë ajo është një performuese natyrale e cila e ka bërë një punë të mrekullueshme edhe në videoklip. Rastësisht që të dy gjendeshim në Los Angeles në të njëjtën kohë por për arsye të ndryshme, prandaj vendosëm të shkonim në shkretëtirën e Kalifornisë për ta xhiruar videoklipin e ‘Follow Me’. Tema e klipit ngjason me atë të këngës dhe flet për qëndrimin afër njëri-tjetrit në çdo situatë, të mirë apo të keqe”, deklaroi Feldt për gazetën “The Sun”.
Edhe
Rita Ora paralajmëron albumin e ri për muajin janar
Albumi i fundit i lansuar nga Ora ishte ai i vitit 2018, “Phoenix”, megjithëse në shkurt të këtij viti pop këngëtarja dhe aktorja e famshme, e publikoi incizimin EP me titull “Bang” në bashkëpunim me DJ dhe producentin nga Kazakistani, Imanbek.
Rikthimi i Ritës në muzikë vjen pak kohë pasi ajo e mori vendimin për t’u zhvendosur në Los Angeles dhe ta lërë pas jetën e saj në Londër. Megjithëse vazhdon që kryeqytetin britanik ta konsiderojë shtëpi, marrë parasysh se atje jeton edhe e gjithë familja e saj, këngëtarja duket e se e ka kuptuar që L.A do të jetë vendi ku do të jetojë për një kohë të gjatë.