Showbiz

Rikthehet seriali i famshëm “Buffy the Vampire Slayer”

Seriali "Buffy the Vampire Slayer"

Seriali kult “Buffy the Vampire Slayer” është duke u rikrijuar dhe aktorja Sarah Michelle Gellar pritet të rikthehet në rolin e Buffyt. 

Sarah Michelle Gellar në rolin e Buffyt

The Guardian ka shkruar se regjisore e episodit të parë do të jetë Chloé Zhao, fituese e çmimit “Oscar”, e cila është fanse e madhe e serisë origjinale.

Sipas raportimeve të Deadline, platforma e transmetimit “Hulu” është shumë afër bashkëpunimit dhe Zhao do të drejtojë episodin, me skenar të shkruar nga Nora dhe Lilla Zuckerman, autore të serialit “Poker Face”.

Projekti do të prodhohet nga ylli Dolly Parton, e cila ka qenë producentja e serisë origjinale përmes kompanisë së saj “Sandollar”, e cila para një viti e kishte konfirmuar ribërjen e serialit.
“Po mendojnë ta kthejnë dhe ta ripërpunojnë”, pati thënë Parton.

Për momentin, nuk janë konfirmuar aktorë të tjerë nga seria origjinale. 

Gjithashtu, është raportuar se krijuesi i “Buffy”, Joss Whedon, nuk do të ketë asnjë rol në serialin e ri, pas akuzave për keqtrajtimin e aktorëve gjatë xhirimeve të disa projekteve, përfshirë "Buffy the Vampire Slayer”. Whedon i ka mohuar akuzat.

Kjo do të ishte seria e tretë e “Buffyverse”, pasi kanë kaluar më shumë se 20 vjet që nga përfundimi i serisë “Angel”, e cila ishte e ngjashëm me “Buffy the Vampire Slayer”, dhe pothuajse 30 vjet që nga fillimi i serisë origjinale në vitin 1997.

Gellar ka qenë gjithmonë kundër idesë për rikrijim të serisë.

“Jam shumë krenare për shfaqjen që krijuam, dhe një vazhdim nuk ka nevojë të bëhet. E mbyllëm atë kapitull. Unë jam shumë për vazhdimin e historisë, sepse ka lidhje me fuqizimin e gruas... por metaforat e Buffyt ishin horror i adoleshencës. Mendoj që dukem e re, por nuk jam adoleshente”, pati thënë ajo në vitin 2023.

Megjithatë, në fund të vitit të kaluar, Gellar zbuloi se kishte ndryshuar mendje pasi pa suksese e serive të tjera të rikrijuara. 

“Është interesante, gjithmonë kam thënë jo, sepse është tashmë aq perfekte. Por duke parë ‘Sex and the City’ dhe ‘Dexter’, dhe duke kuptuar që ka mënyra për ta bërë atë, padyshim që të bën të mendosh: ‘Po, ndoshta’”, pati thënë ajo.

Raportet nga Deadline thonë se negociatat me Gellar kanë nisur pas këtyre komenteve.

Ky rikrijim është pjesë e një vale të madhe rikthimesh, ku janë konfirmuar gjithashtu rikthime të serive të tjera si “Malcolm in the Middle” dhe “Scrubs”.