Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Quinta Brunson do ta sjellë në ekran versionin e ri të personazhit legjendar Betty Boop

Quinta Brunson dhe Betty Boop

Quinta Brunson dhe Betty Boop

Foto: Associated Press

Aktorja, Quinta Brunson, do ta sjellë në ekran një version të ri të personazhit legjendar Betty Boop.

Fituesja e çmimit “Emmy” do ta zhvillojë dhe do ta luajë rolin kryesor në filmin e ri artistik për personazhin e famshëm të filmave vizatimor, “Betty Boop”, një nga figurat më ikonike të animacionit amerikan. Projekti po realizohet nga kompania e saj “Fifth Chance Productions”, në bashkëpunim me Mark Fleischer, nipin e krijuesit të serialit “Betty Boop”, Max Fleischer, dhe “Fleischer Studios”, ka raportuar Variety.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Filmi do të tregojë historinë e origjinës dhe evolucionit të “Betty Boop”, përmes këndvështrimit të Max Fleischer. Projekti do të eksplorojë marrëdhënien mes krijuesit dhe personazhit të tij, ndërsa ai përballet me presionet artistike dhe komerciale të krijimit të një prej ikonave të para të animacionit në botë.

Ky do të jetë rikthimi i parë i Betty Boopit si protagoniste në një film kinematografik që nga vitet 1930, periudhë kur ajo u bë një nga personazhet më të famshme të animuara të kohës.

Një nga episodet e serialit "Betty Boop":

“Betty Boop është një nga personazhet vizatimorë më të dashur në Amerikë, por në të njëjtën kohë ka mbetur disi e veçantë dhe unike. Ajo ka pasur një ndikim të qetë, por shumë të fortë në kulturë për gati një shekull. Pasi Erin dhe unë u takuam me Mark dhe mësuam më shumë për krijimin e Bettyt nga gjyshi i tij, kuptova se pas saj fshihej një histori shumë më e thellë. Një histori që mund të tregohet në një mënyrë freskuese, moderne dhe të përjetshme, ashtu si vetë Betty”, ka thënë në një deklaratë Brunson.

Ndërsa Mark Fleischer ka thënë se mbeti pa fjalë kur Burnson ia prezantoi idenë unike për krijimin e një filmi rreth marrëdhënies ndërmjet gjyshit të tij dhe personazhit Betty Boop.

“Kur Quinta më prezantoi idenë unike të një filmi për marrëdhënien mes gjyshit tim, Max Fleischer, dhe krijimit të tij Betty Boop, mbeta pa fjalë. Quinta mishëron energjinë e Bettyt, dashurinë për jetën, inteligjencën, humorin, guximin dhe dhembshurinë, aq sa kjo lidhje mori jetë që në momentin e parë”, ka thënë ai.

Projekti po krahasohet me suksesin e filmit “Barbie”, ku regjisorja, Greta Gerwig, dhe aktorja, Margot Robbie, risollën në mënyrë moderne një ikonë të njohur femërore për publikun e sotëm.

Seriali i animuar “Betty Boop” u krijua në vitin 1930 nga Max Fleischer dhe u shfaq në më shumë se 100 filma të shkurtër të animuar. Ajo u shndërrua nga një këngëtare vizatimore me tiparet e të qenit një ikonën elegante e epokës së viteve '20, që karakterizohej nga muzika xhaz që njihet sot në gjithë botën.

Përveç suksesit në ekran, “Betty Boop” është bërë edhe një brend global në modë, kozmetikë dhe produkte koleksionuese.

Ndërkohë, Brunson vazhdon suksesin me serialin hit “Abbott Elementary”, që e bëri atë gruan e parë afro-amerikane që fitoi e vetme çmimin “Emmy” për skenarin më të mirë në një serial komedi. Ajo gjithashtu ka fituar një tjetër “Emmy” edhe për rolin kryesor në sezonin e dytë të serialit, duke u bërë gruaja e parë afro-amerikane që arrin këtë sukses që nga viti 1981.