Këngëtari i njohur R. Kelly, i cili po vuan dënimin prej 31 vjetësh burg për abuzim seksual ndaj fëmijëve, ka kërkuar që të lirohet nga burgu dhe të vendoset në arrest shtëpiak, duke pretenduar se jeta e tij është në rrezik.
Avokati i tij ka paraqitur një kërkesë urgjente në gjykatën federale të martën (10 qershor 2025), duke pretenduar se tre zyrtarë të Byrosë së Burgjeve (BOP) kanë planifikuar që R. Kelly të vritet nga një tjetër i burgosur.
Në dokumentet e siguruara nga People, një i burgosur i quajtur Mikeal Glenn Stine pretendon se ishte rekrutuar për të kryer vrasjen. Stine, që pretendon se ka qenë pjesë e grupit ekstremist “Aryan Brotherhood”, ka thënë se një zyrtar i burgut i kishte kërkuar të kryente këtë akt.
“Ai më tha të urdhëroja sulme, rrahje dhe vrasje të të burgosurve të tjerë. Këtë herë më tha të vrisja R. Kellyn”, thuhet në deklaratën e tij.
Stine pretendon se u transferua në një burg tjetër në Carolinan e Veriut, pikërisht në të njëjtin repart ku ndodhet R. Kelly. Pas mbërritjes atje, sipas tij, një zyrtar tjetër i kishte thënë se “duhet të bësh atë për të cilën ke ardhur ta bësh”.
Por, pas disa javësh vëzhgimi, Stine ka thënë se kishte ndryshuar mendim dhe i tregoi vetë R. Kellyt për planin. Ai pretendon se zyrtarët i kishin premtuar se nëse e vriste këngëtarin, do t’i mundësonin arratisjen dhe ai do të jetonte i lirë muajt e fundit të jetës së tij, pasi ishte diagnostikuar me kancer terminal.
Stine gjithashtu ka deklaruar se është i gatshëm të bëjë një test që detekton gënjeshtrat (poligraf) për të vërtetuar historinë e tij. Ai ka premtuar të zbulojë emrat e personave të tjerë që ka sulmuar ose vrarë me urdhër të këtij rrjeti.
“Kërkohet ndërhyrje drastike për të mbrojtur jetën e klientit tim”, ka thënë avokati i R.Kellyt, Beau Brindley, në kërkesën drejtuar gjykatës, duke shtuar se qëndrimi i tij në burg ia rrezikon jetën.
Avokati ka theksuar se këngëtari është shumë i frikësuar pas sulmeve që ka pësuar më herët dhe tashmë nuk ka besim se stafi i burgut do ta mbrojë siç duhet.
“Ai nuk është i sigurt në burg federal. Ta mbash në burg ndërkohë që është nën kërcënim serioz është e papranueshme”, ka thënë Brindley.