Showbiz

R.Kelly përjeton mbidozë gati fatale në burg

R.Kelly

R.Kelly

Foto: Associated Press

Këngëtari i njohur, R.Kelly, i cili aktualisht po vuan dënimin me 31 vjet burgim për abuzim seksual ndaj fëmijëve, ka përjetuar një mbidozë gati fatale në burg dhe është dërguar në spital.

Sipas një deklaratë që ka bërë avokati i tij, Beau Brindley, këngëtari është dërguar në spital dhe është izoluar pasi ka konsumuar ilaçe kundër ankthit më shumë sesa që duhet.

Pasi i mori ilaçet nga stafi i burgut, 58-vjeçari ka humbur ndjenjat më 10 qershor. Tri ditë më vonë, me 13  qershor ai është dërguar në spital, ka raportuar FemaleFirst.

Pas dy ditësh nën mbikëqyrje, ai u rikthye në burg.

Avokati i tij ka thënë se stafi i burgut me qëllim i ka dhënë sasi medikamentesh që do të mund ta vrisnin atë.

“Ky nuk ishte gabim. Ishte dozë që i rrezikoi jetën dhe për pak sa nuk e vrau”, ka thënë ai në deklaratë.

Brindley së fundmi ka bërë kërkesë që R.Kelly të dërgohet në burg shtëpiak pasi po i rrezikohet jeta.

“Ne po besojmë që i vetmi njeri që ka kurajën të na ndihmojë është presidenti Donald Trump”, ka thënë avokati.

Sipas tij, reperi po frikësohet të konsumojë ushqimin në burg pasi po mendon se është i helmuar.

Në kërkesën e avokatit përfshihej një deklaratë nga një tjetër i burgosur, Mikael Glenn Stine, i cili pretendon se i është kërkuar ta vrasë R.Kellyn nga tre zyrtarë të lartë të burgut.

Stines i është thënë se nëse e kryen “këtë detyrë” do t’i mundësohet ikja nga burgu dhe shansi për të jetuar në liri.

Ai gjithashtu ka pretenduar se ka kancer dhe i ka treguar R.Kellyt për ujdinë që i është ofruar, duke thënë se nuk dëshiron ta përmbush atë.

Ndërkohë, muajin e kaluar, presidenti i SHBA-së Donald Trump ka thënë se do ta konsideronte faljen e reperit P.Diddy, i cili aktualisht po gjykohet për veprimtari të ngjashme kriminale si R.Kelly.