Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Princi William i kundërpërgjigjet Meghanit, thotë se Familja Mbretërore nuk është raciste

Princi William ka thënë se anëtarët e Pallatit Mbretëror nuk janë racistë duke aluduar në akuzat e Dukeshës së Sussexit, Meghan Markle e cila ka deklaruar se familjes mbretërore i kishte interesuar ngjyra e lëkurës së fëmijës së saj me Princin Harry.

Duke folur gjatë një vizite në Londër, Princi William ka thënë se nuk ka folur ende me vëllain e tij Harry për këtë çështje duke shtuar se do ta bëjë këtë së shpejti.

“Ne jemi një familje aspak raciste”, ka thënë William.

Pallati i Buckingham ka lëshuar të martën një deklaratë ku thuhej se akuzat e Meghan Markle ndaj familjes mbretërore në lidhje me ngjyrën e fëmijës së saj me Princin Harry, janë shqetësuese.

Akuzat e Meghan Markle gjatë një interviste televizive për shoumenen e famshme amerikane Oprah Winfrey kanë shkaktuar reagime të shumta në mbarë botën.

Markle kishte deklaruar se një person nga familja mbretërore, emrin e të cilit nuk e ka zbuluar, e ka pyetur bashkëshortin e saj Princin Harry se çfarë ngjyre do të kishte fëmija tyre.