Është publikuar trileri i ri për serinë e ardhshme fantazi të Netflixit, “The Witcher”, ndërsa së bashku me pamjet që na zbulojnë më shumë për Geralt of Rivia (Henry Cavill) është zbuluar edhe data e shfaqjes.
Seriali – të cilin veçanërisht janë duke e pritur me padurim fansat e romaneve origjinale dhe fansave të videolojërave të bazuara në romane – bën fjalë për personazhin e titullit, gjahtarin e vetmuar në përbindësha, i cili lufton për ta gjetur vendin e tij në një botë me njerëz dhe bisha të prishura.
Kur fati ia bashkon rrugën me një magjistare të fuqishme dhe një princeshë të re, ata do të bashkohen për të udhëtuar së bashku nëpër kontinentin e rrezikshëm, shkruan KOHA Ditore. Siç duket në triler, do të jetë kjo një rrugë e rrezikshme.
Ky triler e zbulon më detajisht mitologjinë dhe terminologjinë unike të njohur për fansat e Witcherit. Geraltin e quajnë mutant, ai e përdor shenjën Aard për t’i luftuar rivalët, dhe i shohim një varg transformimesh dhe ndryshimesh në ngjyrën e syve, si dhe përzierjen e pijeve Witcher.
Aktori i Supermanit, Henry Cavill, paraqitet në rolin e titullit, ndërsa bashkë me të paraqiten edhe: Anya Charlota, Freya Allan, Jodhi May, Björn Hlynur Haraldsson, Adam Levy, Mimi Ndiweni dhe Therica Wilson-Read, si dhe shumë të tjerë.
The Witcher arrin në Netflix më 20 dhjetor të këtij viti.